Vuçiq e informon Putinin për bisedimet në Uashington dhe në Bruksel

Beograd, 10 shtator 2020 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bisedoi në telefon me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, dhe e informoi atë në lidhje me bisedimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të mbajtura më 4 dhe 7 shtator.

Kremlini njoftoi se biseda u zhvillua me iniciativë të palës serbe, duke shtuar se ajo u përqëndrua në çështjen e Kosovës.

“Vladimir Putin konfirmoi pozicionin e pandryshuar të Rusisë për një zgjidhje të ekuilibruar dhe kompromisi që është e pranueshme për Beogradin dhe e cila do të miratohet nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara”, thuhet në njoftimin e Kremlinit.

Sipas një njoftimi të presidencës serbe, Vuçiq ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e Rusisë për integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë, si dhe për përpjekjet e saj për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon.

“Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se Federata Ruse do t’i sigurojë Serbisë mbështetje politike në përpjekjet e saj për të ruajtur integritetin e saj territorial dhe të koordinojë veprimet e saj të politikës së jashtme me Serbinë, të gjitha me qëllim të mbrojtjes së rendit ndërkombëtar”, thuhet në njoftim.

Më 4 shtator, në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë nënshkruar marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Kosovës e Serbisë.

(REL)

Comment

*