Vuçiq, sjellje foshnjerake ndaj komunitetit ndërkombëtar

Pse presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka refuzuar të shkojë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB? Cilat janë arsyet për zemërimin e tij?

 

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka vendosur që të fillojë një fazë të re në raportet me bashkësinë ndërkombëtare, që mund të quhet edhe si bojkotim i heshtur i Brukselit dhe Uashingtonit. Vendimin e ka marrë Vuçiqi, por e ka publikuar udhëheqësi i zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq, i cili tha se Brukseli duhet të presë pak për vizitën e ardhshme të Vuçiqit atje. Ndërkohë që Vuçiq nuk do të marrë pjesë as në Asamblenë e Përgjithshme të OKB, në Nju Jork do të udhëtojë kryeministrja Ana Bërnabiq.

Gjuriq shpjegoi se Vuçiqi ka ofruar disa zgjidhje për çështjen e Kosovës, por atë e kanë kritikuar shumë për këto ide. Gjuriq tha se presidenti i Serbisë është përballur me heshtje, me distancim nga idetë e tij, e madje edhe “me sulme të tmerrshme”, andaj në Bruksel “do të presin edhe ca kohë deri sa Vuçiq të shkojë në takimin e ardhshëm”.

 

Pse është zemëruar presidenti?

Nëse zemërimi i presidentit të Serbisë, Vuçiq, ndërlidhet me idetë e tij për shpërkufizim me Kosovën, atëherë nuk dihet saktë se për cilat sulme të bashkësisë ndërkombëtare e ka fjalën Gjuriqi. Ideja për shpërkufizimin, për ndarje të territotreve apo për shkëmbim të tyre nuk është pritur me ndonjë entuziazëm të madh në disa vende perëndimore, por është tërësisht e tepruar të thuhet se për këto ide Vuçiqi “është përballur me sulmet më të tmerrshme”. Në disa vende ka pasur madje mirëkuptim për idetë e Vuçiqit.

Një numër i madh i diplomatëve evropianë kanë bërë të ditur – ndonëse me shumë kujdes – se janë të pranueshme marrëveshjet që arrihen mes Prishtinës dhe Beogradit, kurse, shikuar nga shkrimet e mediave serbe, më së paku kundërshtime për këto ide ka pasur në SHBA. Mediat serbe kanë bërë madje edhe gara me shkrimet se administrata amerikane e ka ndryshuar qëndrimin dhe se ajo nuk ka asgjë kundër zgjidhjeve të cilat do të nënkuptonin edhe ndonjë lloj ndarjeje apo shpërkufizimi.

Po pse është i zemëruar Vuçiqi, pra? Naim Leo Beshiri, drejtor i Institutit për Çështje Evropiane, thotë se “Vuçiqi zemërohet tepër shpesh dhe ne shpesh nuk e dimë fare pse është zemëruar presidenti. Skenarë të ndryshëm për zgidhjen e çështjes së Kosovës janë paraqitur në opinion, por ne kurrë nuk kemi marrë ndonjë konfirmimim zyrtar se cili është propozimi i autoriteteve serbe. Ne vetëm dimë se Serbisë nuk i përgjigjet status quo-ja, që do të thotë se ajo angazhohet për shpërkufizim, për korigjim të kufijve apo përshkëmbim të territoreve, por përgjigjen e saktë nuk e kemi marrë kurrë”.

“Ndaj kam frikë se fjalët e Gjuriqit janë vetëm një truk për opinionin e brendshëm. Kjo duhet të bindë qytetarët serbë se Vuçiqi ka bërë gjithçka brenda mundësive të tij, por bashkësia ndërkombëtare nuk është e gatshme t’i pranojë kërkesat tona. Ndaj, kur të vijë koha e nënshkrimit të marrëveshjes me Kosovën, do të kërkojë mbështetjen e qytetarëve, në referendum, sepse ndonjë zgjidhje tjetër nuk ka qenë e mundur”, mendon Beshiri.

 

Brukseli në akull

Gazetari i revistës NIN, Vladan Marjanoviq thotë se Gjuriqi shpesh tingëllon si një stend-up komedi dhe si e tillë mund të konsiderohet edhe deklarata e tij. “Thuhet se Bashkimit Evropian do t’i jepet kohë e mjaftueshme që të kuptojë se sa ka gabuar ndaj Vuçiqit dhe ndaj qëndrimit të tij heroik për ‘zgjidhjen” e çështjes së Kosovës, ndonëse Vuçiqi e ka pranuar në fjalimin e tij në Mitrovicë se ai nuk ka ndonjë zgjidhje. E kur BE ta kuptojë gabimin, atëherë Vuçiqi do të mëshirojë dhe do të shkojë në bisedime. Ndërkohë autoritetet serbe do të bartin me krenari gjithë këtë mllef ndaj mosmirëkuptimit të ideve të Vuçiqit në Bruksel dhe në Berlin”, thotë Marjanoviq.

Është shumë e qartë që Gjuriqi në këtë rast është vetëm bartës i fjalëve të Vuçiqit. Por, duket qartë se Vuçiqi është kaq i zemëruar me Perëndimin sa që vendimin e tij e ka kumtuar dikush tjetër, e jo ai vetë. Vladam Marjanoviq thotë se me këtë vendim Beogradi sugjeron se “ka qenë i gatshëm për kompromise, por tani për një kohë të caktuar do të ketë qëndrime shumë të ngurta. Kjo nënkuton mundësinë e vazhdimit të mos zgjidhjes së çështjes së Kosovës që, sipas të gjitha gjasave, është edhe qëllimi përfundimtar”.

 

Zemërimi është dëshmi i (pa)aftësisë

Aleksandar Vuçiq ka vendosur të mbajë inat me bashkësinë ndërkombëtare, por qytetarët e Serbisë më shumë janë të interesuar të dinë se çfarë mund të arrihet me këtë politikë dhe diplomaci. Ndoshta dikush në pushtetin serb ka menduar se autoritetet perëndimore do të shqetësohen dhe nuk do të flenë të qetë pas zemërimit të Vuçiqit, por kjo dëshmon se diplomacia serbe është në një krizë shumë më të thellë se sa që mendohet. A mund të ketë një zgjidhje më të mirë për Serbinë në çështjen e Kosovës me mjete të këtilla?

Naim Leo Beshiri thotë se “me këtë sjellje foshnjerake nuk mund të arrihet asgjë. E gjitha kjo është vetëm për përdorim të brendshëm, me qëllim që mbështetësit e Vuçiqit të mund të thonë se Vuçiqi ka mundësi të zemërohet me dikë dhe të mos flasë me të. Asgjë pozitive nuk mund të ketë nga refuzimi i bisedimeve, sepse pa bisedime me Brukselin dhe me qendrat tjera ndërkombëtare, me siguri, çështja nuk do të zgidhet. Kjo do të thotë se bisedimet duhet të vazhdojnë, madje edhe me ata me të cilët nuk pajtohesh, e nëse bisedimet vazhdojnë, shtohet edhe mundësia e gjetjes së një kompromisi”, konstaton Beshiri.

(Ivica Petroviq, DW)

Comment

*