Vuçiq pas tryezës në Munih: Tani po e njoh edhe Kurtin

Munih, 14 shkurt 2020 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka vlerësuar si të vështirë panelin për Ballkanin Perëndimor që u mbajt të premten pasdite në Forumin Ndërkombëtar të Munihut.

“Takimi ka qenë i vështirë. I kam mbrojtur interesat e Serbisë dhe e kam mbrojtur popullin serb, gjë që është detyra ime”, ka thënë Vuçiqi për televizionin publik të Serbisë.

Vuçiq ka thënë se ai ishte befasuar me qëndrimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Ai ka thënë se pas asaj që ka parë e dëgjuar sot, në panelin e Forumit të Munihut, e njeh mirë edhe Albin Kurtin, për të cilin ka thënë se deri më tani e ka pasur “të panjohur”.

Vuçiq ka thënë se udhëheqësit e Kosovës jetojnë jashtë realitetit.

“Nuk e keni idenë se me çfarë filmash jetojnë disa nga përfaqësuesit e Prishtinës. Ata duhet të kthehen në realitet”, ka thënë Vuçiq.

Presidenti i Serbisë ka qenë pjesë e panelit ku ka folur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti,i cili e ka hedhur poshtë idenë për krijimin e “mini-Shengenit” ballkanik dhe idenë për ndryshim të kufirit midis Kosovës e Serbisë.

Kurti ka thënë edhe diçka që duket ta ketë lënduar shumë Vuçiqin.Ai ka thënë se tani është koha që bota ta ndihmojë Serbinë “që të çlirohet nga Kosova”.

“Pra, pas çlirimit të Kosovës nga Serbia, duhet të bëhet çlirimi i Serbisë nga Kosova”, ka theksuar Kurti. (r.m.)

Comment

*