Vuçiq riaktualizon idenë për ndarjen e Kosovës

Beograd, 12 janar 2021 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka riaktualizuar idenë për ndarjen e Kosovës, të cilën ai e ka formuluar si “përkufizim të kufijve“ mes serbëve dhe shqiptarëve.

Sipas tij, kjo do të ishte zgjidhje e kenaqshme për të dyja palët.

“Ideja e përkufizimit të kufijve, e përfolur edhe më herët, paraqet një zgjidhje, me të cilën Serbia do të ishte po aq e kënaqur dhe po aq e pakënaqur sa edhe shqiptarët”, ka thënë Vuçiq për televizion “Happy“.

Vuçiq e ka bërë Kosovën përgjegjëse për gjendjen e “konfliktit të ngrirë“ me Serbinë, për shkak se e po refuzon “kompromisin“ me Serbinë.

“Kosova nuk është e gatshme për zgjidhje kompromisi me Serbinë, prandaj konflikti i ngrirë midis dy vendeve po vazhdon”, ka thënë ai.

Vuçiq ka thënë se Serbia nuk është e interesuar për zgjatjen e “konfliktit të ngrirë“ me Kosovën. Sipas tij, kjo do të degradonte dhe do çonte në luftë.

“Konflikti i ngrirë nënkupton të pritet që ndonjëri ta nxjerrë i pari shpatën. Unë nuk do të doja që fëmijët e mi të shkojnë në luftë”, ka thënë ai.

Presidenti i Serbisë ka thënë se “pala kosovare nuk i lexon marrëveshjet që i nënshkruan vetë” dhe ka paralajmëruar se Kosovën “do ta presin befasi”, nëse provon të anëtarësohet në cilëndo organizatë ndërkombëtare.

“Nëse nuk e respektojnë edhe marrëveshjen e Brukselit, atëherë i pret një befasi. Ata e dinë se kur e them unë këtë e kam vërtetë ashtu. Unë jam gjithmonë njeri i përpiktë, nuk bëj bllof. Nëse Kosova provon të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare, do ta presin disa befasi, ata e dinë këtë”, ka thënë Vuçiq.

(r.m.)

Comment

*