Vuçiq: “Serbia duhet t’i rregullojë marrëdhëniet me shqiptarët”

Sofje (Bullgari), 17 maj 2018 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbia duhet t’i rregullojë marrëdhëniet me shqiptarët (Kosovën).

“Serbia duhet t’i rregullojë marrëdhëniet me shqiptarët për veten e vet. Këto marrëdhënie duhet të jenë më të mira, sepse, në të kundërtën, shteti (Serbia) do të ketë shumë probleme. Dyert e Bashkimit Europian do të mbahen të mbyllura dhe nuk do të ketë rritje dhe zhvillim të suksesshëm ekonomik, siç po ndodh këtë vit”, ka thënë Vuçiq, pas përfundimit të Samitit të Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor, në Sofje.

Por, ai ka thënë se nuk është optimist se midis Serbisë e Kosovës do të arrihet një marrëveshje përfundimtare brenda fatit kohor që e ka përmendur homologu i tij kosovar, Hashim Thaçi.

“A do të vijë deri te zgjidhja? Shpresoj. Nuk jam optimist. Do të bëj më të mirën dhe do të bëj shumë përpjekje për të arritur deri aty”, ka thënë Vuçiq.

Sipas tij, Serbia i ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj që dalin nga Marrëveshja e Brukselit, ndërsa pala tjetër (Kosova) “nuk ka përmbushur asnjë nga detyrimet e saj”.

“Përsëri, kjo neve nuk na pengon që të bisedojmë, të dialogojmë dhe të gjejmë kompromis për të zgjidhur problemin”, tha presidenti serb. (r.m.)

Comment

*