VV dhe LDK nuk i ndryshojnë qëndrimet e tyre për demarkacionin

Prishtinë, 2 shkurt 2018 – Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Albulena Haxhiu dhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, kanë treguar se deputetët e këtyre partive mbajnë po ato qëndrime që i kanë mbajtur deri më tash lidhur me marrëveshjen e demarkacionit mes Kosovës e Malit të Zi.

Deputetja e Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, në një prononcim për Koha.net, ka thënë se deputetët e kësaj partie vazhdojnë të jenë kundër marrëveshjes dhe se presin që që kryeministri Ramush Haradinaj t’u kërkojë edhe deputetëve tjerë që të mos e përkrahin këtë marrëveshje.

“Qëndrimi jonë në raport me marrëveshjen aktuale, e cila është e dëmshme sepse i falë mbi 8200 hektarë, është i qartë. Ne jemi kundër kësaj marrëveshje, madje presim nga z.Haradinaj, që në seancën kur do të jetë kjo pikë e rendit të ditës, përmes foltores së Kuvendit, të kërkoj nga deputetët të mos e përkrahin atë marrëveshje. Tani kemi edhe një raport të përpiluar nga Komisioni i mandatuar nga z.Haradinaj, në krye me Shpejtim Bulliqin, raport i cili është shumë profesional i cili dëshmon që Kosova ka humbur territor. Marrëveshja e tillë nuk duhet në asnjë mënyrë të marrë përkrahjen e deputetëve të Kuvendit”, ka thënë Haxhiu.

Sipas saj, numri i deputetëve që janë kundër kësaj marrëveshje tani është më i madh se sa ka qenë në përbërjen e kaluar të Kuvendit.

“Rrethanat në këtë legjislaturë janë të tjera nga ato që ishin në mandatin e kaluar. Tani numri i atyre që e kundërshtojnë këtë marrëveshje është shumë më i madh, përveç 32 deputetëve të grupit tonë parlamentar, kundër kësaj marrëveshje vazhdojnë të jenë Nisma dhe AAK andaj nuk besoj që kemi nevojë për metodat e legjislaturës së kaluar sepse jemi në rrethana më të favorshme”, ka shtuar Haxhiu.

Ndërkaq, Hoti ka thënë se grupi parlamentar i LDK-së mban po atë qëndrim që e ka mbajtur ne legjislaturën e kaluar dhe do të votojë për ratifikimin e marrëveshjes kurdo që ajo të vihet në votim.

Sipas tij, ata që e kanë kundërshtuar këtë marrëveshje po e sjellin tani vetë në kuvend dhe për këtë duhet të kërkojnë falje.

“Qëndrimi ynë është i pandryshuar. Kjo marrëveshje është dashur të kryhet para dy vitesh. U bë kauzë e rrejshme politike dhe qytetarët mbeten të izoluar. Tash po detyrohen ta sjellin të njëjtën. Duhet t’i kërkojnë falje secilit qytetar”, ka thënë Hoti për Koha.net.

Ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit është kusht për lëvizjen e lirë të kosovarëve në Zonën Shengen.

Për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare nevojiten votat e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. (r.m.)

Comment

*