VV: Ndryshim antiligjor i kufijve komunal, synon pastrimin etnik të Graçanicës

Prishtinë, 10 tetor 2018 – Lëvizja Vetëvendosje e quan të kundërligjshëm dhe antikushtetues vendimin e kuvendit të komunës së Graçanicës për ndryshimin e kufijve administrativë me komunën e Fushë Kosovës.

Vetëvendosje thekson se ky vendim ka për synim pastrimin etnik të vendbanimeve të komunës së Graçnicës.

“Vendimi për zonën kadastrale të fshatrave Uglarë dhe Preoc është në kundërshtim me Kushtetutën, sepse ajo përcakton se kufijtë e komunave mund të ndryshohen vetëm me ligj, respektivisht me plotësim/ndryshim te ligjit për kufijtë administrativ”, ka thënë Albana Gashi, kryetare e Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Fushë Kosovë, në një konferencë për gazetarë.

Ajo ka thënë se këtë vendim e bën më dyshues përfundimi i procesit me nxitim, pa shpjegime e pa konsultime me qytetarët si edhe jashtë kompetencave të nivelit komunal.

Xhelal Sveçla, anëtari i Kryesisë qendrore dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se vendimi ka për qëllim bashkimin e fshatrave dhe lagjeve me shumicë shqiptare të komunës së Graqanicës me komunën e Fushë Kosovës, në mënyrë që Komuna e Graçanicës të pastrohet etnikisht.

“Çfarë e shtyn drejtuesit e Komunës së Graçanicës t’i japin territor një komune fqinje që prej tyre shihet si komunë me shumicë shqiptare? Cilat janë ato shërbime apo ato të drejta që qytetarët që banojnë në këto dy zona kadastrale nuk i merrkan në Graçanicë, por i marrin në Fushë Kosovë? Pse këtyre qytetarëve që rastis të jenë në shumicë dërrmuese të kombësisë shqiptare nuk i shërbeka më Komuna e Graçanicës, por Komuna e Fushë Kosovës?”, ka pyetur Sveçla.

Sipas tij, ky vendim ka të bëjë me projektin për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, të cilin ai e ka quajtur “Zajdenicë”.

“Ky rast duhet parë nën dritën e zhvillimeve që lidhen me projektin e Zajednicës. Në të ashtuquajturën ‘Lugina e Diellit’ në Zveçan, një projekt kolonizues. Përkundër ndalesës së Ministrisë së Mjedisit e Planifikimit Hapësinor, ata janë duke vijuar punimet. Në Mitrovicë po duan ta zgjerojnë territorin e komunës në veri të Ibrit në drejtim të asaj të jugut e për këtë po shantazhojnë me mos hapjen e urës”, ka thënë Sveçla.

Ai i ka akuzuar për këtë institucionet më të larta të shtetit të Kosovës, sidomos Presidentin Hashim Thaçi, i cili ka shprehur gatishmërinë për kompromise me Serbinë.

“Le të themi që në mungesë totale të seriozitetit të institucioneve të Kosovës dhe në vijim të ligjërimit të Presidentit Hashim Thaçi për kompromise, korrigjime, shkëmbime e korrektime kufijsh është një testim po ndodh brenda vendit. Ky është rasti i Graçanicës me Fushë Kosovën. Këto të dy vendime janë pra të paligjshme, kundërkushtetuese dhe mbi të gjithë të padrejta”, ka theksuar ai.

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se gjatë ditëve në vijim do të shqyrtojë mundësitë që këtë vendim ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese. (r.m.)

Comment

*