VV: “Nisma për zhbërjen e Speciales – skemë mashtrimi e pushtetit”

Prishtinë, 22 dhjetor 2017 – Lëvizja Vetëvendosje e cilëson si “lojë” dhe “skemë mashtrimi” të pushtetit nismën e 43 deputetëve të koalicionit qeveritar për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Këtë qëndrim e ka shprehur shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, pas takimit të deputetëve të kësaj partie.

“Ka ndodhur një mashtrim, një projektligj me dy fjali. Fjalia e parë është; ‘shfuqizohet Ligji për Gjykatën Speciale’. Fjalia e dytë është: “ky ligj hyn në fuqi menjëherë”. Ky është ligji më i shkurtër që ka ardhur ndonjëherë në Kuvend”, ka thënë ai.

Konjufca ka thënë se Vetëvendosje nuk beson se nisma për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale është e sinqertë, por dyshon  është një “lojë e pushtetit” të cilën Vetëvendosje nuk e pranon si të tillë.

Ai ka thënë se nisma e PDK-së, AAK-së dhe Nismës ka qenë e papritur dhe për këtë nuk ishin zhvilluar kurrfarë konsultimesh me grupet tjera parlamentare.

Konjufca ka thënë se Vetëvendosje nuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj lidhur me Gjykatën Speciale dhe vazhdon të besojë fuqishëm se kjo gjykatë është e dëmshme për Kosovën, por dyshon në motivet e nismës ligjore për zhbërjen e kësaj gjykate.

Ai ka thënë se Vetëvendosje nuk e ka parë të asyeshme të bëhet bashkëpjesëmarrëse e kësaj iniciative sepse nuk ishte konsultuar fare paraprakisht dhe sepse vlerëson se çështja nuk është aq e ngutshme sa u përpoq të paraqitej prej partive në pushtet.

Konjufca e ka cilësuar të pakuptueshëm ndryshimin e qëndrimit të Partisë Demokratike të Kosovës dhe liderëve të saj ndaj Gjykatës kushtetuese. Ai ka kujtuar se kanë qenë pikërisht liderët e kësaj partie që kanë ushtruar presion ndaj deputetëve të saj për të votuar për krijimin e kësaj gjykate.

Konjufca ka theksuar se Gjykata Speciale është themeluar me amendamentimin e Kushtetutës së Kosovës dhe shpërbërja e saj nuk mund të bëhet me ligj, por me tërheqjen e amendamentit që i hapi rrugë themelimit të Gjykatës Speciale, gjë që mund të bëhet me votat e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Konjufca ka treguar se, tash për tash, Vetëvendosje nuk ka qëndrim lidhur me nismën për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. Ai ka thënë se Vetëvendosje do të marrë qëndrim pas analizës së gjithanshme të çështjes.

“Për propozimin për shfuqizim do ta diskutojmëedhe një herë. Na është dukur propozim i pasinqertë sepse nuk ka propozim për shfuqizim të nenit të Kushtetutës. Gjykata Speciale ka themel kushtetuese”, ka thënë ai. (r.m.)

Comment

*