VV nuk tregon se kur do ta dërgojë emrin e mandatarit për krijimin e qeverisë

Prishtinë, 17 janar 2020 – Lëvizja Vetëvendosje nuk ka dhënë ende asnjë datë për dërgimin e emrit të mandatarit për krijimin e qeverisë së re të Kosovës. Zyrtarët e saj thonë se VV do ta dërgojë emrin e mandatarit te Presidenti Hashim Thaçi brenda afateve kushtetuese, por nuk tregojnë se kur mund të ndodhë kjo.

Arlind Manxhuka nga zyra për media e kësaj partie, ka thënë se VV po bën të gjitha përpjekjet që të themelohet sa më parë qeveria e re dhe ka përsëritur atë që është thënë pas mbledhjes së fundit të kryesisë së partisë se kjo do të ndodhë, siç ka thënë ai,  ”përbrenda afateve dha pa ndonjë vonesë”

“Synimi i Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka qenë dhe mbetet krijimi i institucioneve të reja në përputhje me vullnetin qytetarë të shprehur me 6 tetor 2019, përkatësisht themelimi i qeverisë, tash kur Kuvendi i Kosovës është konstituuar dhe me ç’rast ka zgjedhur kryesinë e re me në krye të këtij institucioni Glauk Konjufcën. Në këtë drejtim ne po bëjmë të gjitha përpjekjet që sa më parë të kemi qeverinë e re, ndërkaq siç është theksuar në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Lëvizjes përbrenda afateve dha pa ndonjë vonesë Lëvizja VETËVENDOSJE! sigurisht se do të dërgojë emrin e mandatarit ashtu siç parashihet me Kushtetutën e vendit dhe me këtë rast ne do ta njoftojmë opinionin publik me kohë kur do ta dorëzojmë emrin e mandatarit”, është shprehur Manxhuka.

LV dhe LDK nuk kanë arritur ende të merren vesh për krijimin e koalicionit qeverisë. Sipas zhvillimeve të fundit, këto dy parti vetëmsa janë larguar nga qëllimi që të bashkëqeverisin, seose asnjëra palë nuk po tërhiqet nga kushtet që kanë shtruar për njëra-tjerën. (r.m.)

Comment

*