VV: PZAP dhe disa anëtarë të KQZ-së synojnë eliminimin politik të Vetëvendosjes

Prishtinë, 26 janar 2021 – Lëvizja Vetëvendosje (VV) ka reaguar ashpër pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Amkesa e Parashtresa (PZAP) që të hedhë poshtë ankesën për moscertifikimin e listës së plotë të kandidatëve të kësaj partie për deputetë të Kuvendit të Kosovës.

VV e akuzon PZAP-in se “veproi në një vijë me tre anëtarët e KQZ-së, Valdete Dakën, dhe përfaqësuesit e LDK-së e PDK-së, duke sajuar argumente të paqena juridike dhe kushtetuese vetëm sa për të prodhuar këtë pengesë që është në fakt një padrejtësi e shumëfishtë”. Ajo thotë se “praktikisht PZAP po jep dënim me masë më të rëndë se sa parashihet me ligj” dhe e cilëson si inkuzicion.

“Kështu si ky vendim sot duket vetëm inkuizicioni. Inkuizicion politik e juridik”, thekson VV.

Ajo  vlerëson se me këtë vendim PZAP u bashkohet aktorëve tjerë që synojnë eleminimin politik të kësaj partie.

“Kjo padrejtësi e dalë haptazi bashkë me aktorët që e bartin atë ndër vite në Kosovë, është kufizim i të drejtave në atë shkallë që synon eliminimin politik”, thekson VV, në reagimin e saj.

Në fund të reagimit, VV bën të ditur se lista e saj do të paraqitet e plotë.

“Kandidimi i Albin Kurtit dhe i kandidatëve të tjerë nuk do të mund të ndalet, sepse kështu e thotë e drejta, dhe lista e VETËVENDOSJE!-s do të paraqitet e plotë e fitimtare në zgjedhjet e 14 shkurtit sepse kështu po e kërkon populli”, përfundon reagimi.

Reagimi i plotë i VV-së:

Sot Paneli për Ankesa dhe Parashtresa nxori një vendim absurd, duke ia ndaluar kandidimin, kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, bartësit të listës, Albin Kurti, si dhe kandidatëve tanë, Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Labinotë Demi-Murtezi dhe Bajram Mavriqi.

PZAP veproi në një vijë me tre anëtarët e KQZ-së, Valdete Dakën, dhe përfaqësuesit e LDK-së e PDK-së, duke sajuar argumente të paqena juridike dhe kushtetuese vetëm sa për të prodhuar këtë pengesë që është në fakt një padrejtësi e shumëfishtë.

Të konfirmosh, siç ka bërë PZAP, nën direktivën arbitrare të kryesueses së KQZ-së, përjashtimin nga lista zgjedhore të të kandiduarve, do të thotë që të gjykosh për të dytën herë atë që Gjykata tashmë e ka përbyllur pa pasoja juridike. Pra, praktikisht PZAP po jep dënim me masë më të rëndë se sa parashihet me ligj. E kjo as është detyrë e PZAP-së, e as është e imagjinueshme në një shtet të së drejtës dhe demokratik. Kështu si ky vendim sot duket vetëm inkuizicioni. Inkuizicion politik e juridik.

Kjo padrejtësi e dalë haptazi bashkë me aktorët që e bartin atë ndër vite në Kosovë, është kufizim i të drejtave në atë shkallë që synon eliminimin politik.

Këto vendime, pra, ai i disa anëtarëve të KQZ dhe ky sot i PZAP-së, janë shpërfaqje e një konjukture që i rri mbi krye institucioneve duke ua zënë frymën demokratike. Por jo edhe për shumë gjatë. Kandidimi i Albin Kurtit dhe i kandidatëve të tjerë nuk do të mund të ndalet, sepse kështu e thotë e drejta, dhe lista e VETËVENDOSJE!-s do të paraqitet e plotë e fitimtare në zgjedhjet e 14 shkurtit sepse kështu po e kërkon populli.

(r.m.)

Comment

*