VV reagon ashpër për moscertifikimin e listës së saj nga KQZ, paralajmëron apelim

Prishtinë, 22 janar 2021 – Lëvizja Vetëvendosje (VV) ka reaguar ashpër kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që të mos e certifikojë listën e kandidatëve të kësaj partie për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Në reagimin e saj, të publikuar në profilin e partisë në Facebook, VV e konsideron vendimin si përpjekje për rrëzimin e listës së saj.

Ajo është shumë kritike ndaj kryetares së KQZ-së, Valdete Daka, të cilën e cilëson si “marionetë” të PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe NISMA-s, të cilat, siç shprehet, “dëshirojnë ta ndalin çkapjen e shtetit”.

VV paralajmëron se vendimin e KQZ-së për moscertifikimin e listës së saj do ta apelojë në Panelin e Ankesave dhe Paraashtresave dhe shpreh bindjen se lista e saj do të certifikohet e plotë dhe do të dalë fituese në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Sa i përket vendimit të padrejtë nga KQZ, ne do të vazhdojmë me të gjitha procedurat ligjore dhe do ta paraqesim çështjen në PZAP. Dhe jemi të bindur se në 14 shkurt lista jonë do të jetë e certifikuar, e votuar dhe fituese, e plotë dhe me krejt emrat, sepse kemi të drejtë!”, thekson VV.

Procesi i certifikimit të subjekteve dhe të listave të kandidatëve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit u ndërlikua pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit asnjë person nuk mund të zgjidhet dhe të ketë mandat të vlefshëm të deputetit nëse është i dënuar për vepër penale gjatë tri viteve të fundit, sikurse parashihet me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Drejtori i Zyrës për Regjistrim dhe Certifikim, Yll Buleshkaj, në kundërshtim me aktgjykimin e Kushtetueses, rekomandoi miratimin e listave zgjedhore ashtu siç janë dërguar nga partitë, duke ua lënë në dorë organeve më të larta të drejtësisë vendimin përfundimtar.

Sipas tij, zyra që e drejton ai, “nuk ka arritur të zbatojë plotësisht me vendim pikën Q të nenit 29 (të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme) për arsye të interpretimeve të ndryshme”.

Rekomandimi i Zyrës për Regjistrim dhe Certifikim u hodh poshtë nga shumica e anëtarëve të KQZ-së, të cilët e konsiderojnë të pakontestueshëm aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në listën e VV-së gjenden pesë kandidatë që janë dënuar me vendime përfundimtare gyqësore. Albin Kurti, i cili është i pari në listë, dhe 4 kandidatë të tjerë, janë dënuar me burg me kusht për hedhjen e gazit lotësjellës në Kuvendin e Kosovës, në vitin 2015.

KQZ nuk i ka certifikuar as listat e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Socialdemokrate (NISMA), po për shkak se nuk i kishin larguar nga listat e tyre personat që kanë dënime të plotëfuqishme për vepra penale.

Reagimi i plotë i Lëvizjes Vetëvendosje:

Daka veproi si marionetë në duart e Kumbarëve, por LVV nuk e ndalin dot

Me votimin skandaloz në KQZ u vërtetua ajo që kemi thënë tash e disa ditë: Valdete Daka po vepron nën presion dhe e kontrolluar prej partive të PLAN-it, që dëshirojnë ta ndalin çkapjen e shtetit. Aq i madh është kontrolli që po ushtrohet mbi Valdete Dakën dhe përmes saj mbi KQZ-në, sa që për herë të parë kryetarja e KQZ nuk e miratoi rekomandimin nga Zyra për Certifikimin e Subjekteve Politike, por e rrëzoi atë. Zyra për Certifikimin e Subjekteve Politike kishte bërë rekomandimin që listat e të gjithë subjekteve të votoheshin ashtu siç ishin, në pako, mirëpo KQZ-ja mori vendimin antiinstitucional dhe kërkoi që listat të votoheshin një nga një. Kuptohet, synimi i vetëm i këtij vendimi ishte rrëzimi i listës së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, meqenëse në KQZ mund të krijohet vazhdimisht një shumicë votash me aleancën midis Valdete Dakës, përfaqësuesve të PLAN-it, dhe minoriteteve.

Por, mbështetja e qytetarëve tashmë është bërë masive dhe më shumë se gjysma janë shprehur bindur për ndryshim. Të gjitha partitë e vjetra që kanë kapur shtetin dhe Valdete Dakën, së bashku, nuk kanë aq mbështetje sa Lëvizja VETËVENDOSJE! Prandaj përpjekjet e tyre për të ndalur Lëvizjen, nuk do të kenë sukses. Ne edhe kësaj radhe u treguam parimorë si gjithnjë, e meqë ishim që listat të votoheshin në tërësi pa paragjykim, i votuam listat e subjekteve të tjera, pavarësisht korrupsionit dhe keqqeverisjes që ato përfaqësojnë. Sigurisht, nuk kemi pritur që edhe ata të ishin respektues, sepse njerëzit të cilët kurrë nuk kanë respektuar Kosovën dhe qytetarët e saj, nuk do të mund të respektojnë Vetëvendosjen. Ne nuk na befason sjellja e tyre, sepse është e njëjta, tash e njëzet vite. Por situata ka ndryshuar rrënjësisht, dhe ankthi e paniku i tyre mund të shkaktojë veprimet e fundit antiligjore e antidemokratike, por shpejt do të përfundojë.

Sa i përket vendimit të padrejtë nga KQZ, ne do të vazhdojmë me të gjitha procedurat ligjore dhe do ta paraqesim çështjen në PZAP. Dhe jemi të bindur se në 14 shkurt lista jonë do të jetë e certifikuar, e votuar dhe fituese, e plotë dhe me krejt emrat, sepse kemi të drejtë!

(r.m.)

Comment

*