VV thotë se Thaçi synon edhe një mandat me votat e LDK-së e AAK-së, ato e mohojnë këtë

Prishtinë, 23 maj 2020 – Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, do t’I përfundojë mandate pas nëntë muajsh.  Në muajin shkurt të vitit të ardhshëm deputetët e Kuvendit të Kosovës do të votojnë për presidentin e vendit, por tash për tash nuk ka asnjë kandidaturë të konfirmuar për pozitën e parit të shtetit.

Por, Lëvizja Vetëvendosje dhe njohës të skenës politike të Kosovës janë të bindur se Hashim Thaçi e synon edhe një mandat tjetër pesëvjeçar dhe pret që këtë ta realizojë  me votat e PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe të komuniteteve joshumicë.

Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se ka informacione se LDK-ja do ta votojë sërish Thaçin për president, si shpagim për mundësinë që ia ofron ai për formimin e qeverisë së re. Ajo ka thënë se ky do të ishte një rrezik I madh për vendin.

“Kam dëgjuar edhe një rrezik që mund të ndodhë, prandaj ne do të angazhohemi që kjo të mos ndodhë, që Presidenti Thaçi të marrë edhe një mandat. Kjo të ishte fatkeqësi e madhe për Kosovën dhe për interesat e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ajo, citon KOHA.

Por, LDK-ja dhe AAK-ja kanë mohuar se ato e mbështesin zgjedhjen e Thaçit president edhe për një mandate tjetër.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, e ka heshur poshtë kategorikisht mundësinë e një marrëveshjeje tjetër për votimin e Thaçit.

“Zotëri Thaçi e ka një mandat të fituar me një marrëveshje që e kemi pasu dhe ne ia kemi dhënë besimin. Ai nuk ka marrëveshje me ne, partia e tij nuk ka marrëveshje me ne”, ka thënë ai.

Edhe nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, ka thënë se kjo parti nuk jep votë për një mandat tjetër të presidentit Hashim Thaçi.

“Aleanca qysh moti ka marrë vendim që të mos e votojë zotëri Thaçin. Nuk e kemi votuar as herën e parë“, ka thënë ai.

Por, Gjini ka shpjeguar se AAK-ja nuk ka diskutuar fare me partnerët e ardhshëm të saj lidhur me çështjen e Presidentit.

Por, ekzsiton përshtypja se Thaçi ka arritur marrëveshje me LDK-në dhe AAK-në, prandaj është aq këmbëngulës për formimin e koalicionit të ri qeverisë.

Analisti  politik, Rasim Aliaj, ka thënë se këto dy parti e kanë zbutur qëndrimin rreth zgjedhjes së sërishme të Thaçit për president të vendit.

“Cilido kandidim i presidentit Thaçi lidhet me një marrëveshje politike që mund të ketë me gjitha subjektet politike, e veçanti me LDK-në. AAK-ja i ka zbutur qëndrimet rreth një votimi të mundshëm në rast të rikandidimit të Thaçit për president. E gjitha ju mbetet marrëveshjeve politike”, ka thënë ai. (r.m.)

Comment

*