Walker: Kosova ka pozitë të dobët në dialogun me Serbinë

Uashington, 12 janar 2019 – Ish shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, tha se Kosova ka pozitë më të dobët se Serbia në bisedimet që po zhvillohen nën përkujdesjen e Bashkimit Evropian, në Bruksel.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ambasadori Walker theksoi se për Kosovën është e papranueshme “çdo gjë që është më pak se njohja e pavarësisë nga Beogradi dhe pranimi i faktit se Kosova tashmë është një shtet i pavarur në Evropë”.

“Ende nuk kam dëgjuar ndonjë zgjidhje të mundshme nga tryeza e bisedimeve që do të jetë e zbatueshme, që do të zgjidhte problemet. Dëgjoj për shkëmbime territoresh apo ide të tjera. E di që Bashkimi Evropian kërkon një zgjidhje, një marrëveshje të negociueshme. E di që Shtëpia e Bardhë kërkon një zgjidhje. U deklarua kohët e fundit se do të mbështesë çdo marrëveshje për të cilën bien dakord palët. Mendoj se kjo është e padrejtë për Kosovën. Serbia është në një pozitë më të fortë. Aajo e ka mbështetjen e Rusisë dhe të vende të tjera. Kosova është në pozita të dobëta. Thjesht, shpresoj që kushdo që negocion për Kosovën do të mbetet këmbëngulës se është e papranueshme çdo gjë që është më pak se njohja e pavarësisë nga Beogradi dhe pranimi i faktit se Kosova tashmë është një shtet i pavarur në Evropë”, u shpreh Walker.

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, i cili gëzon një autoritet të madh në Kosovë, tregoi se druan që disa liderë politikë të Kosovës mund të jenë të dobët në dialogun me Serbinë, për shkak të Gjykatës Speciale.

“Jam disi i shqetësuar se klasa e tanishme politike, disa anëtarë të saj, janë të shqetësuar për një re tjetër që u rëndon mbi supe, që është Zyra e Prokurorit të Specializuar. Disa prej tyre mund të ndjejnë se nëse nuk bëjnë atë që u thotë Bashkimi Evropian apo Shtetet e Bashkuara, mund të akuzohen shumë lehtë. Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kohë që është ngritur dhe ende nuk kam dëgjuar për akuza të ngritura kundër askujt, por e di se disa nga lidershipi i tanishëm janë të shqetësuar se mund të akuzohen personalisht për krime lufte”, tha ai.

Ambasadori Walker tha se ai është i zhgënjyer me deklaratën e Administratës aktuale të Shteteve të Bashkuara se do të pranojë çfarëdo marrëveshjeje për të cilën pajtohen dy palët.

“Në administratën e tanishme amerikane nuk mendoj se ka njerëz që kanë qenë të përfshirë në çlirimin apo në pavarësinë e Kosovës apo që janë në dijeni që asaj që ka ndodhur para masakrës së Reçakut. Është vështirë të shpjegosh se sa e keqe ka qenë situata për popullin e Kosovës nën Slobodan Milosheviqin. Dhe nuk kam parë ndonjë shenjë se Qeveria e Beogradit ka vullnet ta ndryshojë qëndrimin ndaj Kosovës, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara kanë dalë me qëndrimin se çdo lloj marrëveshjeje është e pranueshme prej nesh (SHBA-së). Kjo më zhgënjen”, theksoi ai.

Ambasadori Walker foli edhe për situatën aktuale në Kosovë. Ai tha se sot, pothuaj 20 vjet pas përfundimit të luftës, në Kosovë “ka shumë korrupsion, shumë krim, shumë pasiguri për të ardhmen”.

“Ditën kur u shpall pavarësia – isha atë ditë në Prishtinë dhe të nesërmen në Pejë dhe kujtoj atë lum njerëzish që festonin çlirimin dhe pavarësinë. Pritshmëritë ishin të larta, ndoshta shumë të larta. Por edhe po të ishin në një nivel më të ulët, një numër shumë i madh njerëzish në Kosovë sot janë mjaft të zhgënjyer me ecurinë e deritanishme. Shumë njerëz thonë se duhet kohë për të ndërtuar një shtet të ri që lindi nga asgjëja, se politikanët kosovarë nuk kishin përvojë për të qënë politikanë e aq më shumë presidentë apo zëvendësministra, apo deputetë. Por, mendoj se situata është zhgënjyese, ka shumë korrupsion, shumë krim, shumë pasiguri për të ardhmen”, tha ai.

Ambasadori Walker u shpreh shumë kritik për lidershipin aktual të Kosovës. Ai theksoi se Kosova tani ka nevojë për një udhëheqje të re.

“Ka ardhur koha që ata të largohen. Është koha që të vijë një brez i ri, që e di se si është bota tani. Nuk shoh fytyra të tjera në zyra publike. Janë po ato që unë i kam parë 20 vjet më parë. Bota ka ndryshuar, situata e Kosovës ka ndryshuar. Kosova ka nevojë për udhëheqje që e ka besimin e popullit”, theksoi Ambasadori Walker, në fund të intervistës për Zërin e Amerikës, të udhëhequr nga Rudina Dervishi. (r.m.)

Comment

*