“War Diary” – një libër për fëmijët e luftës në Kosovë

Nju Jork, 17 korrik 2017 – Pak kohë më parë, në Nju jork, u botua libri “War Diary” i autores së re shqiptare, Qëndresë Halili, e cila jeton në SHBA.

Autorja e librit ishte vetëm 9 vjeç kur, së bashku me familjen, ishte detyruar të largohej prej shtëpisë së saj, në Ferizaj.

Në librin “War Diary” (Ditari i luftës), siç sugjeron në titull, ajo sjell dëshmi të përjetimeve të tmerrshme të familjes e saj, motrës dhe dy vëllezërve, prindërve dhe asaj vetë, gjatë luftës në Kosovë.

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Qëndresa ka tregouar se në këtë libër, të cilin ua dedikon fëmijëve të luftës, risjell egërsinë e luftës së Kosovës, ashtu siç e kishte parë ajo si fëmijë 9 vjeç.

“War Diary’ është një libër për luftën e Kosovës, për fëmijërinë time të humbur, për vuajtjet dhe dhimbjet e nënave tona shqiptare, për gjithë trishtimin dhe traumat që i kemi përjetuar ne që kemi qenë pjesë e asaj lufte, e cila, në një mënyrë apo në një tjetër, na ka vrarë shumë ëndrra, shumë dëshira për jetën”, ka thënë autorja.

Ajo ka treguar se kujtimet e luftës që e ka përjetuar ajo janë ngulitur fort në mendjen e shpirtin e saj.

“Kujtimet e luftës, sikurse te çdo fëmijë që e ka përjetuar dhe e ka mbijetuar luftën, janë kujtime të paharrueshme, të cilat më janë ngulitur fort në memorien time dhe ne shpirtin tim. Këto kujtime është shumë vështirë t’i harrosh, edhe kur e arrin moshën e pjekurisë”, ka thënë ajo.

Qëndresa ka thënë se libri është pritur mirë nga lexuesit e parë.

“Libri është botuar qe dy muaj, është pritur mirë kudo që kam arritur ta shpërndaj, si te shoqëria amerikane ashtu edhe te shoqëria shqiptare”, ka thënë ajo.

Qëndrësa Halili është autore edhe e 6 librave të tjerë.  Ajo ka thënë se temë qendrore e të gjitha librave të saj është liria.

“Tema të të gjithë librave të mi janë liria, dashuria, femra, bota shpirtërore e njerëzve. Mbi të gjitha është liria”, ka thënë ajo. (r.m.)

Image result

Comment

*