WILLIAM N. JOHNS – ENERGJIA MOTORIKE E KOMUNITETIT NË WORCESTER, MA.

(Potret biografi për veprimtarin Willam Nick Johns (Vasil Koli Kamenica)

(Ribotohet me rastin e largimit nga jeta)

Nga Thanas L. Gjika

William N. Johns (10 janar, 1932 – 11 qershor, 2020)

Në kohën kur në Boston vepronte At Fan Noli, koka drejtuese e shqiptarizmit, komunitetit shqiptaro-amerikan të qytetit Worcester MA iu dha epiteti “zemra e atdhetarizmit në Massachussets”. Këtë cilësim ky komunitet e pati fituar dhe e mban ende në saje të punës së palodhur të disa breza veprimtarësh të përkushtuar, midis të cilëve janë shquar dhe vijojnë të shquhen edhe pjesëtarët e familjes Johns (Kamenica).

Disa të dhëna për historikun e familjes Johns (Kamenica)

Në fillim të shekullit XX-të nga lagjeja e sipërme e fshatit Kamenicë, u shpërngul Jovani (1868 – 1905) me nusen e tij Thomaidha dhe u vendos në qytetin e Korçës. Në fshat qëndruan prindërit që vijuan të punonin tokat e të mbanin gjënë e gjallë rreth shtëpisë. Me ta ndënji dhe djali i vogël, Thimi (1888 – 1949). Çifti i ri bleu në Korçë një shtëpi të vogël pranë çezmës së njohur me emrin “Çezma e Papa Llambro Ballamait” që ndodhej në faqen e kodrës së Shën Thanasit. Shumë shpejt banorët e qytetit filluan ta quanin atë “Familja Kamenica”, me që kishte ardhur prej atij fshati. Në Korçë familja e re u shtua me dy djem: me Kolin (Nikolla 1902 – 1971) dhe Pandin (1904 – 1973).

Në vitin 1904 qeveria turke e forcoi luftën kundër familjeve shqiptare të krishtere, kështu largimi për në kurbetin e ri të Amerikës mori hov. Nga qyteti i Korçës dhe fshatrat për rreth, si dhe nga fshatrat e Kolonjës ikën shumë të rinj. Midis tyre ishin dhe mësuesi Petro Nini Luarasi me disa kolonjarë dhe Jovan Kamenica me disa të rinj korçarë. Ky e la djalin e dytë disa muajsh. Petro N. Luarasi e kolonjarët u vendosën në Clinton MA, ku u bashkuan me kolonjarë të tjerë dhe filluan të merreshin me ndërtim shtëpish, sepse dinin zanatin e muratorit. Kurse Jovani u vendos në Manchester NH, ku filloi të punonte nëpër kuzhina si pjatalarës. Mirëpo gjatë dimrit 1904-1905 Jovani u sëmur e vdiq sapo mbushi një vit në mërgim, duke i lënë në gjendje të vështirë nënën, gruan dhe dy djemtë. Disa vjet më vonë, Thimi pasi u martua, mori rrugën e mërgimit me gjithë gruan e tij. Ky çift u vendos në Worcester MA, por nuk lindi fëmijë, madje shumë shpejt nusja e re vdiq dhe Thimi u dorëzua prift. Në këtë detyrë At Thimi Theodhos fitoi popullaritet dhe ariti të emërohej Archimandrid. Për shërbimin e tij të gjatë e të devotshëm, portretin e tij të madh (pikturë me ngjyra) e kanë vendosur në sallën e aktiviteteve të kishës Shqiptare Orthodokse “Fjetja e Shën Mërisë” (Albanian – American Orthodox Church “St. Mary’s Assumption”).

Më 1920, pasi Koli mbushi 18 vjetët, u ftua prej xhaxhait të tij, Thimit. Ai e nxori pasaportën dhe emigroi në Worcester MA. Këtu filloi të punonte pjatalarës në një restorant. Pas pesë vjetësh ai me kursimet që kishte mbledhur u kthye në atdhe me synim që të bënte një shtëpi të re dhe të martohej. Shtëpia që kishte blerë babai ishte e vjetër dhe e vogël. Në rrugën që të shpinte drejt kishës Shën Ilia, po bëheshin shtëpi të reja. Aty e bleu tokën dhe ndërtoi shtëpinë e tij Koli Kamenica. Ngjitur me të bëri shtëpi të re dhe vëllai i tij Pandi, i cili gjithë jetën punoi si furxhi dhe nuk shkoi në kurbet.

Për të gjetur nuse, nuk ishte e vështirë, sepse çdo vajzë korçare pranonte të martohej me një djalosh që kishte punuar në Amerikë dhe që do të kthehej përsëri atje. Koli zgjodhi vajzën simpatike Olimbi (1902 – 1999) nga Floqi, një fshat i madh pranë Kamenicës. Me familjen e saj, prindërit e Kolit kishin njohje të hershme. Dasma u bë në vitin 1925. Disa muaj më vonë dhëndëri u nis përsëri për Amerikë, ku pas disa muajsh mori lajmin e gëzuar se i lindi djali i parë, Kristaqi (1925 – 2015). Pas gjashtë vjetësh Koli u kthye përsëri në Korçë, ku jetoi gati dy vjet. Më 10 janar 1932 u lind djali i dytë, Vasili. Në pranverë Koli e mori për të tretën herë i vetëm rrugën e kurbetit. Në Worcester MA ai bleu shumë shpejt një restorant ku punonte gjithë ditën deri në darkë vonë. Në pranverë të vitit 1937, nëna Olimbi me dy djemtë, Kristaqin 12-vjeçar dhe Vasilin 5-vjeçar, e shoqëruar prej vjehrrës Thomaidhë, u nis me karvanet që largoheshin nga Korça për në Vlorë. Prej këtu me vapor grupi kaloi në Bari. Nga Bari me tren shkoi në Napoli, ku hipi në vaporin REX dhe mbriti në New York ku i priti Koli. Bashkimi me familjen ishte gëzimi më i madh i Koli Kamenicës, mbas martesës e lindjes së dy djemve të parë. Nëna Thomaidhë mbas një viti u kthye në atdhe, ku u pleqërua me djalin e madh, Pandin. Zoti e bekoi familjen e Kolit më 1942 edhe me lindjen e një djali tjerër, të tretit. Sipas traditës, administrata amerikane e asaj kohe qytetarët që vinin nga jashtë dhe ata që lindnin këtu, i regjistronte me emra të variantit anglez. Kolin e kishte regjistruar më 1925 me emrin Nick, Kristaqin e regjistroi me emrin Christy, Vasilin me emrin William (shkurt Bill). Mbiemri Kamenica u la mënjanë, në vend të këtij mbiemri u vu emri i gjyshit Jovan në formën angleze: Johns. Kurse djali i tretë, që lindi në SHBA më 1942, u quajt vetëm me emrin amerikan Andrew. Ky u rrit e u martua më 1961 me zonjushen amerikane Sandra Asad, por nuk lindi e nuk adaptoi fëmijë.

Mbas ardhjes së familjes, Koli nuk ndjente më lodhje, pa le që djali i madh filloi ta ndihmonte në restorant shumë shpejt si pjatalarës. Shëmbllin e tij, pas disa vjetësh e ndoqi dhe djali i vogël. Këta dy vëllezër shkonin dhe në shkollë. Shkollën e mesme (High School) e ndoqën së bashku në vitet 1947 – 1951. Mbasi kryen dhe shërbimin ushtarak, ata filluan të merren me punë private. Billi edhe pse ishte më i vogli, mori inisiativën të hapte më 1955 birrarinë e tij të parë me 60 karrige në Front Street. Me të punoi dhe Christy që atëhere e gjatë gjithë jetës. Pasi e rriti biznesin e këtij dyqani, pronari e shiti, më tej ai bleu një tjetër birrari, të cilën po ashtu, pasi ia rriti vlerën e biznesit, e shiti. Duke ecur me sukses në këtë lloj biznesi, duke blerë, forcuar e shitur birraritë, ai arriti të bëhej një nga biznesmenët shqiptaro-amerikanë më të suksesshëm të Worcester MA. Më 1970 ai bleu në Chandler Street dyqanin e madh “Liquor” për shitje pijesh të ndryshme me shishe e arka. Së fundi ai hapi një restorant e birrari me emrin “Coast Caffee” në Mill Street, anës liqenit me 100 karrige. Këtu ai mori në punë dhe shumë nga ne shqiptarët e rinj, përgatiti në rrugë praktike dhe kuzhinierë si Klodi etj.

Si biznesmen i suksesshëm Bill Johns ishte në Worcester MA një koleg i denjë i biznesmenit të madh të Bostonit, zotit Antony Athanas. Në vitin 2003, në këtë restorant ai e mbylli aktivitetin e biznesit të tij, pas gati 50 vjet pune të pavarur, pa llogaritur vitet e rinisë kur shërbeu pranë restorantit të babait, ku mësoi përmes punës praktike zanatin e kuzhinierit. Më 2003, në moshën 71 vjeçare ai u pensionua, por natyrisht nuk qëndroi në shtëpi si shumë pensionistë të tjerë. Edhe sot, si do ta shohim më tej, ai vijon të interesohet e të ndihmojë për mbarëvajtjen e kishës shqiptare, për Festivalet shqiptare, për Illyrian Gardens, etj.

Veprimtari shoqëror.

Ajo që na bën ta quajmë zotin Bill Johns një energji motorike për komunitetin është pikërisht veprimtaria e tij shoqërore në të mirë të komunitetit. Familja e tij, ashtu si familja Steffon e disa të tjera janë shtylla herkuliane (Herculian pillars) për mbajtjen në këmbë të veprimtarive shoqërore e fetare të komunitetit tonë.

Dashuria dhe devocioni për të ndihmuar kishën kanë qenë karakteristikë dalluese e familjes Kamenica, që në vitet 1930-të. Babai i tij bashkë me At Thimin, në vitin 1943 blenë në Oxford MA një pronë me 13 hektarë tokë dhe një godinë të madhe me 12 dhoma, të cilën e kthyen në Manastir të Kishës Shqiptare “Fjetja e Shën Mërisë”. Aty shqiptaro-amerikanët shkonin me pushime, bënin piknike dhe ceremoni të ndryshme. Ato të ardhura i kalonin kishës si ndihmë. Në vitin 1960 kjo pronë u ble prej shtetit sepse aty u krijua një rezervuar i madh uji, si liqen artificial.

Në vitin 1979 shqiptaro-amerikanët e Worcester MA vendosën të ndërtonin një kishë të re, mbasi kisha e parë e blerë më 1915 ishte vogël. Në këtë nismë shpërthyen dhe aftësitë organizative të Bill Johns-it, i cili u zgjodh “Chairman of the Land” dhe “Chairman of the bilding” si për ndërtimin e kishës dhe të godinës së pensionistëve “Illyrian Gardens”. Me përpjekjet e tij e të shokëve të tij u sigurua jo vetëm shuma e pareve, por edhe leja për blerjen e tokës dhe ndërtimin e saj në një lagje të qetë jo larg qendrës. Kështu filloi puna per ndërtimin e godinës së kishës. Me muaj e vite të tërë djemtë e rinj, anëtarë të shoqërisë “Djemtë e Shën Marisë”, punuan vullnetarisht krahas ustallarëve dhe e ngritën karabinanë, e suvatuan, i shtruan dyshemetë e të dy kateve, vendosën dyer e dritare, sistemuan shkallet, etj, etj. Në vidiot e regjistruara të këtyre proceseve prej Vangjo Naumit kemi parë z. Bill në krye të punëve që në hapjen e themeleve. Kisha mbaroi së ndërtuari më 1982, kurse godina për pensionistë Illyrian Gardens u përfundua më 1991. Për punën e përkushtuar që kreu z. Wlliam Johns nga fillimi deri në mbarim të këtyre dy objekteve të rëndësishme për komunitetin shqiptaro-amerikan dhe për qytetin e Worcester-it, shoqëria “Christian and Jewish” i dha atij një Award (çertifikatë nderi) me shkrim e foto të vendosur në kornizë, vlerësim të cilin nuk e ka marrë asnjë shqiptar tjetër në qytetin tonë.

Kur erdhëm ne mërgimtarët e rinj pas vitit 1991 e gjetëm këtë kishë të kompletuar me të gjitha anekset e saj. Zoti Johns me Komitetin e kishës organizuan mbledhjen e pareve të tjera për të mbushur muret e kishës me piktura dhe për të bërë disa shtesa plotësuese si anash dhe përpara godinës. godinës. U lidh kontrata me piktorin e talentuar Dhimitër Çika dhe shumë shpejt kjo kishë arriti të zerë vendin e parë për nga bukuria e brendshme midis kishave shqiptaro-amerikane.

Çdo të dielë zotin Bill Johns me familjen e tij të zgjeruar e gjen në kishë gjatë ceremonisë së meshës. Në çdo festë, në çdo drekë e darkë ceremoniale ose jo, ai nuk ka munguar e nuk mungon bashkë me vëllezërit e tij. Shembulli i tij si dhe i kunatit të tij, z. Robert Steffon e disa veprimtarëve të tjerë, frymëzojnë anëtarët e vjetër e të rinj të komunitetit tonë. Ai është gjithnjë një nga donatorët kryesorë për veprimtaritë e kishës e të komunitetit. Ai me gjithë anëtarët e familjes krijoi dhe e mbajti për shumë vjet fondacionin “Nick Johns Sponsoring”, krijuar për nder të babait të tij, ku janë derdhur shuma të konsiderueshme në ndihmë të kishës, të sporteve, të shfaqjeve teatrale, etj. Dy herë, kur erdhi Nënë Tereza në SHBA për të mbledhur fonde për më të varfrit e të varfërve të botës, William Johns shkoi e takoi dhe iu përgjigj thirrjes së saj bashkë me Dhimitra Peters, Llazo Vishnja, Dhimitër Steffon.

Familje e përkushtuar.

Në vitin 1957 Billi u martua me zonjushen Loreta Ligor Steffon (1935 – 2012), motra e shokut të tij Robert (Bob), e cila shquhej për urtësi, bukuri e zgjuarsi. Ajo kishte mbaruar High School. Olimbia e deshi si vajzën e saj. Nga kjo martesë lindën dy vajza e një djalë: Karen lindi më 1958, Sandra më 1962 dhe Marku më 1965. Të tre fëmijët kryen studimet në kolegje të ndryshem dhe sot punojnë, vajza e madhe në halder care (qendër kujdesi për të moshuarit), e dyta kordinatore në Illyrian Gardens Inc., dhe djali Real Estate. Dhëndurrët po ashtu kanë kryer kolegje për biznes dhe kanë punët e tyre të pavarura, z. Harvard Dono ka “Real Estate Apresel Co.” dhe z. Mark Dionis “Manifactures Sale”. Duke vijuar traditën e krijuar prej Nik Johns-it (Koli Kamenicës) i cili për shumë vjet u zgjodh Kryetar i Këshillit të kishës edhe Bill-i, edhe djali i tij dhe dëndëri po ashtu janë zgjedhur disa herë kryetarë të këtij këshilli dhe e kanë kryer këtë detyrë me përkushtim. Loreta dhe dy vajzat janë zgjedhur e kanë punuar në komitetin e shoqërisë së grave.

Edhe vëllezëtit Christy dhe Andrew kanë ecur në rrugën e devocionit të babait të tyre. Christy (1925 – 2015) u martua më 1946 me zonjushen amerikane Alice. Me të ai pati tre djem në çdo dy vjet: Tom-in 1947, Davidin më 1949, Fredin më 1951 dhe vajzën Kathreen më 1955. Prej këtyre fëmijëve Tomy vdiq aksidentalisht më 2007 në krye të krye të detyrës si polic. Christy ka lënë gruan, dy djem, një vajzë, dy nuse, një dhëndër dhe nipër e mbesa plot.

Sot familja e ngushtë e z. William (Bill) Johns është e shtuar, si thotë populli ajo është “një bletë e plotë”, e bekuar nga Zoti, përveç dy vajzave e djalit dhe dy dhëndurëve e nuses, kjo famijle ka dhe nëntë nipër e mbesa të gjithë të shëndetshëm e të pashëm, që ndjekin shkolla të ndryshme sipas moshave.

Karen dhe Harvard Dono kanë tre fëmijë: djalin Jason dhe vajzat Kristin e Natasha; Sandra dhe Mark Dionis kanë dy: vajzën Sydney dhe djalin Zahary; kurse Marku dhe Julie kanë katër fëmijë: dy vajza e dy djem, Skyler, Willow, Koli dhe Torin.

Për devocionin fetar dhe punën e përkushtuar ndaj kishës, Peshkopata Shqiptaro- Amerikane i akordoi më 1996 z. William N. Johns titullin “Kalorës i Shën Gjergjit” (Knight of Saint George). Ky përkushtim vijon dhe tek pasardhësit, vajzat, djali dhe dhëndri, si dhe tek besa Sydney. Kjo shkoi vjet në qershor bashkë me disa të rinj e të reja në Shqipëri për të marrë pjesë në aktivitetet verore të kishës së Elbasanit. Këto veprimtari dhe përshtypjet nga Shqipëria ajo i pasqyroi në facebook-un e saj dhe u lexuan prej të rinjve si në Shqipëri e në SHBA.

Duke e vlerësuar përkushtimin e tij ndaj komunitetit, producent i Albanian Culture TV Adem Belliu erdhi një herë nga New Yorku dhe e intervistoi për emisionet e tij televizive. Kurse z. Sotir Millona, një artdashës, që krijon emisione për kulturën shqiptare një herë në muaj në “Illyrian Gardens Inc.”, disa vjet më parë krijoi një film dokumentar për jetën e punën e këtij veprimtari. Në këtë vit të 85-vjetorit të tij, z. William Johns po vijon përpjekjet bashkë me Dr. George Laska që të realizojnë një projekt për ndërtimin e gjashtë godinave në tokën e kishës, me qëllim që ky institucion të forcohet ekonomikisht me të ardhurat e qirave që do të merren prej tyre.

Clark University i kishte dënë në vitin 2007 vlerësimin “WEBSTER SQUARE BUINESS MAN OF THE YEAR”. Kurse në gusht të vitit 2012 Shoqëria AANO e vlerësoi z. William N. Johns me çmimin e lartë “LIFE TIME ACHIEVEMENT”.

Viti 2017, viti i 85-vjetorit të lindjes së këtij veprimtari të palodhur, neriton të quhej Viti William Johns prej Town Hallit të qytetit tonë, sepse ai me jetën e punën e tij nderon maksimalisht komunitetin shqiptaro-amerikan të Worcesterit MA dhe të mbarë Amerikës. Komuniteti ynë dhe dega e këtushme e Shoqërisë VATRA i urojnë këtij zotërie të nderuar të rrojë dhe një qind vjet me shëndet e ëndrra të realizuara!

* * *

Midis ne mërgimtarëve të ardhur mbas vitit 1991 bie në sy jo vetëm mungesa e veprimtarëve energjikë si William Johns me shokët e tij, por dhe një indiferentizëm ndaj veprimtarive të komunitetit e të kishës. Shqiptarët, sidomos ata që kanë dalë në pension, gjatë ditëve të javës dhe sidomos të djelave, shkojnë orë të tëra nëpër klube të ndryshme duke pirë kafe, duke diskutuar me zjarr për politikën dhe duke krojtur bileta llotarie. Harxhojnë dhjetëra dollarë në javë, por e kanë të vështirë të vijnë në kishë të djelave e të hedhin dy dollarë. Shumica e atyre me origjinë të krishtere, vijnë në kishë gjithsej dy a tri herë në vit, sa për të kujtuar ndonjë nga prindërit e larguar nga jeta. Jemi shumë të ndryshëm nga mërgimtarët e parë, të cilët edhe pse ishin gjithsej rreth 1.000 shqiptarë, shumica me shkolla fillore, punuan së bashku për krijimin dhe funksionimin e regullt të kishës, u bashkuan në shoqëritë e ndryshme, formuan degën aktive të shoqërisë “Vatra”, etj. Kurse sot jemi rreth 20.000 shqiptarë, të gjithë me diploma të shkollave të mesme, shumë dhe me diploma të larta, por na mungon dashuria për njëri tjetrin, na mungon dëshira për t’iu afruar kishës ose degës së shoqërisë Vatra. Nuk e kuptojmë se afrimi e bashkëpunimi midis anëtarëve të një komuniteti tregon qytetarinë e pjesëtarëve, se një komunitet sa më i organizuar të jetë aq më shumë mund të ndihmojë veten dhe atdheun…

Comment

*