Wilson për Serbinë: Një vend që synon BE-në nuk blen armatim nga Rusia

Uashington, 6 gusht 2019 – Nënkryetari ekzekutiv i Këshillit Atlantik, Damon Wilson, ka thënë se një shtet që merr rrugën drejt Bashkimit Evropian, nuk duhet të pranojë armatim nga Moska, duke iu referuar armatimit rus të pranuar ditë qëparë nga Rusia.

Në pyetjen e “Zërit të Amerikës” (edicioni në gjuhën serbe) se nëse me këtë veprim Serbia po i dërgon mesazhe Perëndimit dhe si e sheh blerjen e armëve, Wilson ka thënë se kjo është e dëmshme dhe e papërgjegjshme, dhe se, sipas tij, kjo ishte një përpjekje për të dobësuar normalizimin.

“Rruga e Serbisë drejt BE-së është përmes normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, e jo përmes armatimit rus. Përderisa Kosova është çështje e hapur, do të shohim tentime ruse, do të shohim lojëra serbe, të gjitha këto marrëdhënie të diskutueshme”, ka thënë Damon Wilson, transmeton Koha.net.

Sipas tij, vendimet e tashme mund të dëmtojnë vet qëllimet e Serbisë.

“Një vend që shkon në BE, nuk pranon armatim nga Moska, kjo s’është kompatibile”, ka theksuar ai.

Wilson shton se e kupton që Rusia është në krah të Serbisë për sa i përket çështjes së Kosovës në OKB.

Duke komentuar deklaratën e Matthew Palmerit, Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit të SHBA-së, i cili tha se shpreson që opozita serbe nuk do t’i bojkotojë zgjedhjet, Wilson thotë se beson në Kushtetutë dhe në institucionet demokratike.

Ai pranon se ekziston një trend i bojkotimit të zgjedhjeve, veçanërisht në Ballkan. (r.m.)

Comment

*