Xhafaj: S’kam arsye të jap dorëheqje, Rama s’ma ka kërkuar

Tiranë, 16 maj 2018 – Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, tha se nuk do të japë dorëheqje për shkak të akuzave të Partisë Demokratike për përfshirjen e vëllait të tij, Agron Xhafaj, në trafik droge.

Xhafaj ka thënë se Kryeministri Edi Rama nuk ia ka kërkuar dorëheqjen dhe se ai nuk sheh arsye për të bërë këtë.

“Kryeministri nuk më ka kërkuar dorëheqjen dhe nuk shoh asnjë arsye për të dhënë dorëheqjen”, ka theksuar Xhafaj, në një konferencë shtypi.

Ai i ka quajtur akuzat ndaj tij si mashtrin, ndërsa audio përgjimin e publikuar nga PD-ja e ka quajtur manipulim.

Xhafaj i ka quajtur  qesharake akuzat e Partisë Demokratike se ka falsifikuar një nen të Kodit të Procedurës Penale për ta shpëtuar nga burgu vëllain e tij, Agron Xhafaj.

“Lidhur me falsifikimin e Kodit të Procedurës Penale është akuza më qesharake që kam dëgjuar për veten time. E kam të vështirë ta besoj që, edhe pse nuk kam asnjë simpati politke për ata, si mund të shpallet njeriu kaq injorant. Qesharak komplet këta lloj njerëzish. Nuk ka asnjë kontribut timin teknik në këtë çështje, por e mbroj fort atë si një nen në përputhje me Konventën. Së dyti, kjo pikë e nenit 491 është një standard ndërkombëtar, nuk e kemi shpikur ne. E treta, ky rregullim i ri në kodin e procedurës nuk ka lidhje fare me rastin e vëllait tim. Është mashtrim i rëndë publik, mbrohen vetëm ata që janë dënuar në mungesë. Në rastin konkret, im vëlla ka qenë i përfaqësuar nga një mbrojtës i caktuar jo kryesisht”, është shprehur Xhafaj, transmeton ABC News.

Ai i ka shpjeguar edhe rastin e vëllait të tij Agronit.

“Ngjarja ka ndodhur në 2002. Vëllai im ishte 25 vjeç. Autoritet e kanë dënuar një muaj dhe e kanë larguar nga Italia. Në atë kohë isha në Qeverinë Majko. I kam kërkuar kryeministrit Majko dorëheqjen në lidhje me këtë ngjarje. Kryeministri Majko nuk e pranoi doreheqjen time”, ka thënë ai.

“Vëllaim im nuk iu fsheh hetimit, por ka kërkuar të gjykohet në të gjitha nivelet e gjykimit. Ai nuk iu fsheh autoriteteve. Asnjë veprim i imi nuk ka krijuar imunitet apo favor kundrejt ekzekutimit penal ndaj tij”, ka shtuar ministri Xhafaj.

“Si një vëlla i përgjegjshëm, unë kam bërë gjithë ç’kam patur në dorë që im vëlla të kthehej në vlerat e familejs sonë. Im vëlla shumë shpejt iu kthye normalitetit, krijoi familje, ndërtoi familjen e vet bazuar në mundin e djersën e vet. Ai nuk kërkoi favore apo privilegje në shkeje të ligjit. Sot unë e familja ime jemi të goditur shpirterisht, sepse fajin po e vuan një Agron që nuk ka lidhje me atë të 16 viteve me parë”, ka thënë ai.

Sipas tij, të gjitha akuzat janë “një orkestrim i opozitës për interesat e saj meskine” dhe prokuroria do të ndërmarreë veprime kundër personave të përfshirë në këtë aferë.

“Kushdo i përfshirë në këtë skandal të madh, duhet të marrë përgjigje. Ne do t’i kërkojmë sot publikisht Prokurorisë veprime të shpejta për gjetjen e të gjithë atyre që janë përfshirë në këtë aferë kriminale dhe dënimin në mënyrën më të merituar. Unë nuk kam frikë. Askush nuk mund të më shantazhojë apo të më pengojë në arritjen e qëllimeve të larta, në atë që kam marrë përsipër të bëj, luftë pa kompromis me krimin”, është shprehur ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Më herët, Kryeministri Edi Rama e ka marrë në mbrojtje ministrin Xhafaj. Ai ka thënë se Fatmir Xhafaj nuk ka as përgjegjësi juridike dhe as përgjegjësi morale, prandaj nuk ka pësre të japë dorëheqje. (r.m.)

Comment

*