Xherdan Shaqiri është lojtar i Liverpulit

Liverpul, 13 korrik 2018 – Xherdan Shaqiri është tashmë lojtar i Liverpulit. Shqiptari i Zvicrës hedh një tjetër hap të madh në karrierën e tij.

Di të shënojë vetëm gola të bukur.

Një arsye më shumë që Liverpuli të mendonte dhe përfundimisht ta bënte të vetin Xherdan Shaqirin.

Akordi me lojtarin ofensiv 26-vjeçar dhe me klubin e tij, Stoke City-n, u arrit për rreth 14 milionë paund stërlina, apo afërsisht 16 milionë euro.

Shqiptari i Zvicrës, i njohur për talentin e tij, në Europianë e Botërorë, nis një tjetër etapë të madhe në karrierë, ajo që shpresohet të jetë e duhura.

Pasi e nisi karrierën me Bazelin, shkëlqeu me Bajernin duke fituar edhe Bundesligën e Championsin, provoi Serinë A me Interin, ai u vendos përfundimisht në Premier Ligën angleze.

Vazhdimisht titullar, ai ndihmoi Stoke City-n në 3 sezone, edhe pse edicionin e kaluar nuk shmangu dot që ekipi i tij të rrëzohej në kategorinë e dytë.

Kohët e fundit për Shaqirin u interesua edhe Manchester United dhe Lazio, por duket se Liverpool-i u tregua më bindës.

Tashmë pritet që ai të bashkohet me skuadrën e trajnerit Jurgen Klop, nënkampione e Europës në fuqi, dhe të luftojë për titullin në Premier dhe në Champions.

Liverpuli ka marrë edhe Nabi Keita nga Lajpcigu dhe pret ta marrë edhe Nabil Fekirin e Lionit.

/abcnews.al/

Comment

*