Xhoni Athanas, njeriu dhe artisti

Ribotohet me rastin e vdekjes së artistit të dashur shqiptaro-amerikan

 

Nga Skifter Këlliçi

Në mbrëmjen e 17 janarit të vitit 2008 më ndodhi një ngjarje krejt e pritur: Do të kremtoja 70-vjetorin e lindjes së bashku më gruan time, Natashën (edhe ajo si unë ish-gazetare në RTVSH) dhe djalin Maldi, që pas disa muajsh do të përfundote studimet në Kolegjin “Berkli”, një nga shkollat e larta më të njohura të botës. Në atë mbrëmje do të ishte e ftuar edhe mbesa më të shoqin, fëmijët e tyre dhe askush tjetër. Arsyeja ishte e thjeshtë. Meqë kjo ditë binte e enjte, ditë pune, nuk doja të shqetësoja shokë dhe miq të ngushtë që atë mbrëmje punonin në ndërresa të dyta ose të nesërmen që me natë do të nisnin punën.
Kështu, i shoqëruar nga djali, po futesha në tavernën “Vlora” të një biznesmeni të ri vlonjat. Dhe ja e paritura e parë: ende pa shkelur në një sallë të madhe u prita nga lajtmotivi i këngës tradicionale amerikane “Happy Birthday to you” (“Gëzuar ditëlindjen”) që këndohet në raste ditëlindjesh, por të kënduar jo vetëm nga familliarët e mi, por të paktën nga 50-60 vetë që u ngritën nga tryezat ku ishin ulur. Midis tyre, në krye, aty ku do të ulesha dhe unë si protagonisti i kësaj mbrëmjeje qendronte Xhoni Athanas, një ndër miqtë e mi më të mirë në Boston, ku jetoj prej më shumë se 10 vjetësh. Ai kishte në krah, të shoqen, Sekinen, ish-kërcimtare e njohur në Teatrin e Operas dhe Baletit.
Të papriturat do të vazhdonin. Në krahun e djathë të tryezës u ndodha pranë Anxhelo Xhaçkës, një ish-gazetari, edhe ai i njohur në Tiranë në vitet ‘80-’90. Edhe atë e kishte sjellë fati të vinte në Amerikë, por duke këmbyer penën e gazetari me kompjuterin e biznesmenit. Pa kaluar disa minuta, Anxheloja, më zgjati një libër (mbulesën e të cilit lexuesit mund ta kundrojnë se shoqëron këtë shkrim) me titull ”Xhoni Athanas, njeriu dhe artisti” të shkruar prej tij.
Më tej, e papritura e fundit.
Pasi përgëzova Anxhelon dhe Xhonin, të cilit i përkushtohej ky libër, hapa mbulesën e librit dhe lexova shënimin: “Kopjen e parë të këtij libri ia dhuroj me kënaqësi të madhe mikut tim më të mirë…” dhe Anxheloja vazhdonte më fjalë të tjera shumë të ngrohta.
E vërteta është se ashtu si çdo shikues shfaqjesh artistike dhe dëgues të Radios, Xhonin e kisha njohur që më 1950 kur isha jo më shumë se 12 vjeç dhe kur ai kishte ardhur nga Korça pranë Ansamblit të Ushtrisë Popullore.
Me kalimin e viteve kisha pasur rastin të takohesha dhe të njihesha me të si gazetar. Por miqësia jonë u rrit më shumë gjatë takimeve në mbrëmjet shqiptare në restorantin “Pier 4” të atdhetarit të njohur shqiptaro-amerikan, Antoni Athanas.
Që atëherë, në biseda të këndshme, ku Xhoni, veç ngjarjeve nga jeta e tij e vrullshme artistike rrëfente edhe barcaleta që të shkulnin së qeshuri, pasioni i gazetarit dhe i shkrimtarit më kishte ngacmuar që të skicoja një libër jetëshkrimor që do t’ia kushtoja Xhonit dhe gruas së tij, Sekines. Por ja që Anxheloja tashmë ma kishte djegur këtë dëshirë.
Kaluam kështu herë duke iu kthyer Xhonit dhe herë Anxhelos dhe natyrisht edhe miqve të ftuar. Një mbrëmje shumë e bukur, ku Xhoni nuk mungoi që të më rikujtonte episode të tjera nga jeta e tij, që nis që nga Broktoni, qytet pranë Bostonit, në Massachusetts, (ku lindi më 1925), qytet ku babai i tij kishte shkuar si mërgimtar; rikthimin në në Korcë; vitet e fëmijërisë, duke bredhur lëndinave të fshatit e duke këndur këngët “Te plepi i Bi, ishtit”, ”Tatëpjetë bregut vinje”, “O moj korcare…” e plot këngë të tjera. Pastaj kur babai vinte gramafonin, nga pllakat e tij, si me magji për këtë vogëlush, shpërthenin tingujt e këngëve amerikane, por edhe të pjesëve operistike “La donna e e mobile” e Verdit, nga Turandot e Puçinit, që më pas zuri t’i këndonte dhe Xhoni, sa e motra i përsëriste “Ti, vëlla, do të bëhesh këngëtar”…
Të nesërmen më t’u kthyer nga puna, lashë mënjanë çdo gjë dhe nisa të lexoja librin ”Xhoni Athanas, njeriu, artisti”.
Në përvojën time 50-vjeçare në fushën e letrave kam lexur jo pak libra të natyrës muzikore që më kanë ndihmuar për të përgatitur emisionet radiofonike “novela muzikore”, një pjesë të të cilave i kam ripunuar dhe kam botuar më 1970 vëllimin me tregime “Zërat e jetës” dhe dy vjet më pas “Mbi mjegullat e kohëve”. Midis tyre kam lexuar edhe librin “Jeta dhe vepra e Karuzos”, shkruar nga publiçisti Italian, Vitorio Tortoreli. (Më pas këtë libër e përktheva nga rusishtja, por ai u nuk u botua më 1973 pas ngjarjeve tragjke të Plenumit të 4-t famëkeq të KQ dhe fjalës që mbajti atje diktatori Enver Hoxha).
E them çiltërisht se libri jetëshkrimor “Xhoni Athanas”, shkruar nga Anxhelo Xhaçka qëndron denjësisht krahas këtyre librave. Kështu që nuk u pendova se nuk kisha nisur të shkruaja një libër kushtuar Xhonit.
Në verën e vitit 2005, Anxhelo Xhaçka më kishte bërë një të papritur tjetër, kur më kishte dërguar një vëllimth poetik me titull “Sinqerisht”, shkruar prej tij. Po sinqerisht, i kisha kthyer përgjigje me një reçension të botuar po në faqet e kësaj gazete, me titull “Një gazetar poet në moshën 50 vjeç”.
Që Anxheloja ka shpirt të thellë poetik, mjafton t’u ofroj lexuesve këto vargje të nxjerra nga ky vëllimth, me titull “Malli-mal”. Një titull disi kakofonik, por domethënia e të cilit kuptohet pasi lexon me vëmendje këto vargje:
”Sikur të kisha një grusht rrufe, /Do të godisja malin mu në zemër, /Që ta rrëxoja të tërin përdhe, /E të mos i lija më emër/. Do ta merrja pastaj nëpër duar, /Që ta shkërmoqja në gurë zalli, /E ta shpërndaja në udhën e shtruar, /Ku të ecë zemra te malli…”
Po më këtë shpirt poetik është shkruar ky libër, në të cilin mpleksen faqe proze poetike, romani, me nota dramatike dhe në të njëjtën kohë dhe humoristike, sepse edhe me copëza të tilla është e mbushur jeta e Xhonit. Kur mendon se për më shumë se gjysëm shekulli ai ka qenë pranë këngëtarëve të tillë si Avni Mula dhe Ibrahim Tukiqi, një trio vokale që bënte për vete tërë ata që ndiqnin këngët e tyre kudo që i këndonin.
Kështu i njoha edhe unë gjatë një koncerti nga të fundit në Tiranë, disa ditë para se të niseshin për studime në Bashkimin Sovjetik ngjarje që përshkruhet dhe në libër, shoqëruar me dialogët e mëposhtëm në një zyrë të konseravatorit “Çajkovski” në Moskë:
“Si ju quajnë djalosh?”
“Xhoni Athanas”.
“Ku keni lindur?”
:Në Brokton, Massachusetts, SHBA”.
“Tjetri: Emri, mbiemri?”.
“Avni Mula”.
“Vendlindja?”
“Gjakovë, Republika Federative e Jugosllavisë”.
Dhe kur vjen radha e të tretit, që ishte Rifat Teqja, që do të bëhej më pas nga dirigjentët më të mirë shqiptarë, i cili përgjigjet se ka lindur në Pekin, sepse në rusisht bashkëtingëllorja “q” zëvendësohet më “k”, atëherë, siç shkruan autori: “…nëpunësi i konservatorit ngrihet më këmbë, mbyll regjistrin, heq xhamin optik nga syri dhe u drejtohet të rinjve: “Të më falni, por nuk po marr vesh asgjë. A ka midis jush ndonjë shqiptar?!”
Edhe me gërshetime të tilla është ndërtuar i tërë libri i Anxhelo Xhackës, ku natyrisht fokusi i tij përqendrohet në rrugën artistike që ndoqi Xhoni për t’u bërë këngëtar, rrugë që së bashku me Avniun, Ibrahimin dhe të tjerë u bënë të njohur në Bashkimin Sovjetik e pastaj në vende të tjera të botës.
“Pa nisur ende afshi i nxehtë i verës së vitit 1955”, shkruan autori, “dy studentët e konservatorit ‘Çajkovski’, Xhoni Athanas dhe Avni Mula, u lajmëruan të paraqiten në ambasadën shqiptare të Moskës: “Jeni të ftuar të merrni pjesë në Ansamblin e Ushtrisë Popullore, i cili nën drejtimin e Gaqo Avrazit do të zhvillojë një turne të gjatë në Kinë Mongoli, Vietnam, Kore …”
Kështu, siç përshkruhej në libër, zë fill rrugëtimi i Xhonit në sa e sa grupe artistke që do ta çojnë atë nga Azia në vende të tjera të Evropërs, në vendet balltike, Rumani, deri në tri republikat më të largëta të ish-Bashkimit Sovjetik, Kirgistan, Uzbekistan, Taxhikistan, dhe Turkmeni, përsëri Kinë, etj. Për më shumë se 30 vjet, me një repertor të pasur, që nga këngët popullore nga të cilat e famshme kudo u bë “Lule borë” e Simon Gjonit, deri te ariet nga opera të famshme klasike dhe të autorëve tanë.
Megjithatë, viti 1955 do të shënonte për Xhonin një ngjarje kyçe: njohjen ne kërcimtaren Sekine Alibali, e cila, si bashkëshorte e ardhshme e tij, u bë dhe një personazh i rëndësishën dhe në jetën e artistike.
Gjatë takimeve me Xhonin dhe Sekinen, më ka rastisur të bisedoj edhe për ngjarje që lënë gjurmë. Në një nga ato ndalet edhe Anxhelo Xhaçka.
“…Nëse dëshiron , mund të vish edhe me ne në Amerikë”.
“Oh, faleminderit, kjo është e tepërt”, ia ktheu Xhoni.
“Jo, djalosh. Asgjë nuk është e tepërt në këtë botë. Me zërin tënd ti mnd të kesh një karrierë të shkëlqyer… Mos e humb këtë shans. Ne këtu jemi këto ditë”. (faqe 56)
Ç’kishte ndodhur? Ishte viti 1956 dhe Xhoni pati rast të bisedonte me një nga pjesëtarët e një grupi të famshëm artistik amerikam që shfaqi në Moskë operan e kompozitorit të famshëm George Gershwin “Porgi dhe Besi”. Një nga pjesëtarët e këtij grupi, i cili me disa shokë kishte dëgjuar Xhonin gjatë një koncerti, i bëri propozimin e mësipërm. Por Xhoni nuk pranoi.
“Ai mezi po priste të kthehej në Shqipëri. Tenorin dramatik e kishte këputur malli për vendin e vogël buzë Adriatkut”. (Po aty.)
Xhoni do të sillte në Shqipëri edhe jehonën e një suksesi të madh të arritur në konkursin e kantos, organizuar në Festivalin Ndërkombëtar të Rinisë në Moskë, ku morën pjesë 130 këngëtarë të rinj, solistë të skenave operistike nga shumë vende të botës. Ai zuri vendin e dytë, i vlerësuar me entuziaëm nga Tito Skipa, tenori i madh iatalian me origjinë arbëreshe, që duke e përqafuar, i dhuroi medaljen e argjendtë. Xhoni u shqua në këtë këtë konkurs, veç të tjerash edhe me interpretimin e aries së Otellos, nga opera me të njejtin titull e Xhuzepe Verdit, (faqe 58 e librit).
Kjo ka qenë një nga ariet më për zemër të Xhonit, të cilën e kam dëgjuar edhe unë në disa koncerte në TOB dhe në sallën e Klubit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Kështu ndodhi në një koncert në këtë sallë, kur Xhoni po e këndonte këtë arie, ashtu si gjithnjë, plot pasion, një studiues italian në fushën e letërsisë, që kishte ardhur në Shqipëri për të dhenë leksione në auditoret tona dhe që shoqërohej nga kritiku ynë i njohur, Kudret Velça, u mahnit kur dëgjoi Xhonin. Siç më tha pastaj miku im, Kudreti, ky zë i kishte kujttuar atij zërin e Mario del Monakos, një tjetër tenor italian, me famë botërore të atyre viteve.
Por, që nga viti 1957, kur ishte kthyer nga Bashkimi Sovjetik dhe deri më 1969, ashtu siç përshkruhet në librin e Anxhelo Xhaçkës, Xhoni e kishte pasuruar repertorin e tij me perla nga opera të njohra klasike dhe shqiptare. Po përmend disa prej tyre: Doda, nga opera “Mrika” e kompozitorit Preng Jakova, Sazani, nga oprera “Pranvera” e kompozitorit Tish Daija, për të kaluar në role nga opera klasike: Principali nga “Nusja e shitur” e Smetanës, Turidu nga opera “Cavaleria rustikana” e Maskanjit, Palaçoja Kanio “Palaçot” e Leonkavalos. Pastaj kthehet nje një rol të rëndësishëm në operan “Lulja e kujtimit” të kompozitorit Kristo Kono, të Lenskit ne operën “Evgjeni Onjegin” të Çajkovskit, të Ranedanosit ne operën “Karmen” te Bizesë, Borsa në operën “Rigoleto” të Verdit, Monriko në operën “Trovatore”, etj.
Mes këtyre veprave operistike të njohura, pa pritur si një therrje vjen opera “Princesha e çardashit e kompozitorit humgarez Kalman. Në këtë opera Xhoni dhe shoku i tij Avni Mula plotësonin njeri-tjetrin, por këtë radhe jo në jetë kur me hedhje pritjet e tyre bënin të qeshnin këdo por në shkenë ku siç më kujtjet dhe mua patën sukses të plotë edhe me mizanskenat e krijuara prej tyre dhe regjsorit të njohur Mihal Luarasit. Po kështu edhe me dialogjet e ndërthurur mjeshtërisht me pjesët muzikore. Xhoni do të shquhej pastaj edhe në rolin e Azizit në operetën “Brigada e grave” të kompozitorit llazr Morcka të Viktorit në operën tjetër të Agim Prodanit… dhe në role nga opera të tjera si Borna të Avni Mulës, “Zgjimi” i Tonin Arapit etj.

Xhoni Athanas, në rolin e Skënderbeut dhe kompozitori Prenk Jakova

“…Ishte koha”, shkruan autori i librit, “kur në nbarë vendin kishin filluar përgatitjet për kremtimin e 500 vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skërndebeut”.
Ai i kushton shmë vend rolit të Skënderbeut të interpretuar nga Xhoni Athanas, nga më të realizuarit në historinë e TOB-it, ku Xhoni përmbushte disa cilësi të rralla, zërin dramatik që kërkonte kjo opera e vështirë e Preng Jakovës, interpretimin teator që ia kërkonte regjizori Pirro Mani dhe paraqitja e jashtme fizike.
…Në 1984, me një grup shokësh në një vizitë në Krujë u ndalëm në Muzeun Historik. U takuam edhe me krutanë të moshave të ndryshme.
“Kemil lexuar shumë për Skëndërbeun por përshtypja që na ka lënë Xhoni Athanas në rolin e Skënderbeut të këtë operë, ishte për ne i jashtëzakonshëm. Por jo vetëm për ne por edhe për fshatarë që kishin ardhur ta shihnin atë natë që dha shfaqje në muret këtij muzeu”.
Është e vështirë që në faqet e një shkrimi të përmbledhësh tërë jetën artistike të Xhonit, që pastaj kaloi pegagog i Institutin e lartë të Arteve e pastaj një ditë u detyrua të linte atdheun e të vendsej në Boston në Amerikë, atje ku shumë dekada më parë qenë vendosur prindërit e tij.
Aty një dite u vendosa edhe unë dhe çuditërisht edhe autori i librit “Xhoni Athanas njeriu dhe artisti”. Kam pasur shumë takime me Xhonin, në raste të ndryshme. Takime edhe për ditëlindjet e tij. Kam biseduar edhe emgrante rusë, ish-proferoresha në universitete të njohura në ish-Bashkimin Sovjetik të cilat fati i solli në Amerikën kapitaliste. Nuk harroj një bisedë që bëra më njërën prej tyre.
“Xhoni na krijon një atmosferë të këndshme në koncertet që organizojmë në komunitetin tonë këtu në Boston”, më tha ajo. “Ai dëshmon se do të kishte qenë një tenor i madh edhe në vendin tone”.
Por Xhoni nuk mngon në takime të organizuara nga Bashkësia Shqiptare e Bostonit. A do ta nisë me himnin tonë kombëtar e pastaj me atë amerikan.
Për këtë veprimtari, ai u dekorua nga Presidiumi i Kuvendit të Shqipërisë me dekoratën e lartë të mirënjohjes më 6 nëntor të vitit 2006. Të nësërnen shkrova në një nga gazetat e Tiranës një artikull kushtuar Xhonit. Dhe që aty, pa i thënë atij nisa të skicoj një libr që do t’ia kushtoja atij dhe gruas së tij kërcimtares së njohur të TOB-it, Sekines. Kisha material të bollshëm. Më duheshin edhe të dhëna të tjera në biseda si ato që kisha bërë me Xhonin në shtëpinë e tij ose në takime të tjera mes shqiptarësh.
Por tani siç e përshkova në fillim të këtij shkrimi, këtë dëshirë ma dogji Anxhelo Xhaçka. Me librin që më dhuroi mua dhe lexuesve u paraqit denjësisht në një promovim të bërë muajt e fundit në Tiranë. Libri njeh lexuesin edhe me vlerësimet e personaliteteve të mëdha të artit muzikor shqiptar dhe të nuaj. Ata vënë dukje meritat e Xhonit si këngëtar dramatik që aq shumë ka dhënë për njohjen e muzikës sonë edhe përtej kufijve të Shqipërisë.
Jam i sigurtë se megjithë përvojën që kam, nuk do të shkruaja një libër të tillë më mirë se ç’e ka shkruar Anxhelo Xhaçka.

Comment

*