Xhudistët e Kosovës i fituan 10 medalje për dy javë

Prishtinë, 13 nëntor 2018 – Një vjeshtë e nivelit të lartë për xhudon kosovare ka kulmuar me katër medalje në turneun Grand Prix, që të dielën përfundoi në Tashkent të Uzbekistanit.

Kosova në fund të garës, që mblodhi 347 xhudistë nga 47 vende, u rendit më e suksesshmja me tri medalje të arta e një të argjendtë. Kosovën në Tashkent e përfaqësuan katër xhudiste dhe të gjitha u paraqitën në finale. Kjo vlerësohet të jetë dëshmi e ngritjes së madhe të ekipit kosovar në xhudo.

Elementi i befasisë nuk zë vend në këtë rreth, në rrugëtimin drejt majës të xhudistëve kosovarë, meqë ata fitojnë medalje në çdo garë.

Të shumta ishin sidomos në muajin e fundit, por i suksesshëm vlerësohet i tërë viti 2018.

Ishte Erza Muminoviq që me medaljen e bronztë në Lojërat Olimpike për të Rinj që u mbajtën në Buenos Aires të Argjentinës para pak më shumë se një muaji, që hapi rrugë për sukseset e tjera. 16-vjeçarja fitoi medaljen e vetme për Kosovën në atë ngjarje shumësportëshe, ndërsa kompletoi një vit të suksesshëm gjatë të cilit fitoi edhe titullin evropian për kadete.

Erza vlerësohet se dëshmoi që e ardhmja e xhudos kosovare është e sigurt, ndërsa janë seniorët ata që dëshmuan që edhe e tashmja i takon xhudos kosovare.

Pa përfshirë medaljen e saj, xhudistët kanë fituar plot 10 të tjera, kryesisht të arta për rreth dy javë, shkruan sot Koha Ditore. (r.m.)

Comment

*