YIHR: S’ka pajtim pa u dënuar kriminelët e luftës

Prishtinë, 9 shkurt 2018 – Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (Youth Initiative for Human Rights – YIHR Kosovo) dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Serbi (Youth Initiative for Human Rights – Serbia YIHR Serbia) dënojnë ashpër nderimin e kriminelit të luftës Haradin Bala në Parlamentin e Kosovës, të vetmit ojesëtar të UÇK-së të dënuar për krime lufte në Tribunalin e Hagës, si dhe veprimin e autoriteteve serbe për përfshirje në dialogun e brendshëm mbi Kosovën të Vinko Pandureviqit, të dënuarit për krime lufte në korrik të vitit 1995 në Srebrenicë.

Në komunikatën e YIHR për Kosovë kujtohet se në aktgjykimin e parë, të shpallur më 30 nëntor 2005, Haradin Bala ishte dënuar me 13 vjet burg. Ky dënim i ishte konfirmuar më 27 shtator 2007, në aktgjykimin e shkallës së dytë në rastin Limaj e të tjerë, ku Fatmir Limaj dhe Isak Musliu ishin shpallur të pafajshëm.

Bala ishte dënuar për torturë, trajtime çnjerëzore dhe vrasje në lidhje me keqtrajtimin e tre të burgosurve në kampin-burg të Llapushnikut. Ai kishte pasur rol në “mbajtjen dhe zbatimin e kushteve çnjerëzore në kamp”, kishte ndihmuar në vrasjen e një të burgosuri dhe kishte marrë pjesë në vrasjen e nëntë të burgosurve të tjerë, të cilët ishin dërguar në malet e Berishës dhe ishin vrarë më 25 ose më 26 korrik të vitit 1998.

Nga ana tjetë, me ftesë të Zyrës të Qeverisë të Serbisë në Kosovë, Vinko Pandureviq është ftuar si ekspert në tryezën e rrumbullakët në kuadër të dialogut të brendshëm për Kosovën. Pandureviq, ish- komandant i Brigadës të Ushtrisë të Republikës Serbe, ishte dënuar me 13 vjet burg për përgjegjësinë  komanduese dhe përgjegjësinë individuale për vrasjet, shfarosjen dhe përndjekjet në Srebrenicë dhe në vendet përreth,  gjatë muajit korrik të vitit 1995. Krimet e Pandureviqit janë kualifikuar si krime kundër njerëzimit dhe si shkelje të ligjeve ose zakoneve të luftës.

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, në Kosovë dhe në Serbi, u bëjnë thirrje Qeverisë të Kosovës dhe Qeverisë të Serbisë që të ndalojnë nderimet e kriminelëve të luftës dhe të përqendrohen në procesin e pajtimit, duke punuar së bashku dhe me vendet e tjera të rajonit për të krijuar Komisionin Rajonal për Vërtetimin e Fakteve mbi Krimet e Luftës dhe shkeljet e tjera të rënda të të drejtave të njeriut të kryera në territorin e ish-Jugosllavisë, nga 1 janari 1991 deri më 31 dhjetor 2001. Krijimi i këtij komisioni mbështetet nga Nisma për KOMRA.

Ato u bëjnë thirrje autoriteteve në Prishtinë që të mos hezitojnë së punuari për arritjen e drejtësisë për viktimat e luftës dhe të mos e pengojnë punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyrës të Prokurorit të Specializuar të Kosovës. Ndërkaq autoriteteve në Serbi u bëjnë thirrje që të mos përfshijnë kriminelët e luftës si Llazareviq, Shainoviq dhe, në rastin e fundit, Pandureviq, në dialogun e brendshëm mbi Kosovën, por as në ndonjë detyrë tjetër publike.

“Shteti i Serbisë ka për obligim të ndjekë penalisht të gjithë ata që kanë kryer krime lufte, por edhe të shfrytëzojë sistemin e edukimit formal për të nxitur kulturën e përkujtimit të viktimave të luftës në Kosovë’, thuhet në komunikatë.

“Ne, si brez i të rinjve nga Kosova dhe Serbia, gjithmonë do të jemi kundër nderimit të kriminelëve të luftës. Ne do të vazhdojmë të kundërshtojmë rrëfimet e njëanshme të historisë dhe do të punojmë për të edukuar të rinjtë në ndërtimin e paqes mes dy shteteve. Ne u bëjmë thirrje të dy qeverive që të dalin përtej deklaratave dhe të bëjnë hapa konkretë në procesin e pajtimit”, thuhet më tutje në komunikatë.

“Ne besojmë se asnjë marrëveshje e detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve nuk do të mund të sjellë paqe dhe zhvillim për të dyja shoqëritë, pa u dënuar të gjithë kriminelët e luftës dhe pa u nderuar të gjitha viktimat e luftës nga të dyja shtetet”, përfundon komunikata e Youth Initiative for Human Rights – Kosovo. (r.m.)

Comment

*