Ymeri: Kosova sot nuk është ajo e idealeve të UÇK-së

Prishtinë, 6 mars 2017 – Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, së bashku edhe me Albin Kurtin, Aida Dërgutin, Shpend Ahmetin dhe zyrtarë të tjerë të parties, kanë nderuar dëshmorët e Prekazit, në 19 vjetorin e rënies.

Ymeri ka thënë se familja Jashari është symbol i sacrifices së luftës së popullit të Kosovës për liri e pavarësi.

“Mendoj që rezistenca dhe sakrifica e familjes Jashari është një gjë të cilën ne kurrë nuk duhet ta harrojmë”, ka thënë  Ymeri.

Ai ka vlerësuar se Kosova, sot, nuk është ajo e idealeve të atyre që dhanë jetën për liri e pavarësi dhe për këtë ka akuzuar drejtuesit e institucioneve të Kosovës.

“Unë nuk mendoj që kjo Kosovë që po e ndërtojmë sot nuk është në përputhje me idealin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës… Këta politikanët tanë institucional e shndërruan Kosovën në një plaçkë të cilën vazhdimisht e keqpërdorën për interesa të veta”, ka thënë ai.

Pas homazheve në varreza, delegacioni i Vetëvendosjes është pritur në kullën e Jasharëve, nga përfaqësuesi i familjes Jashari, Murat Jashari. (r.m.)

Comment

*