Ymeri: Të rinegociohet Demarkacioni me Malin e Zi

Prishtinë, 7 nëntor 2017 – Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka thënë se Mali i Zi nuk mund ta zbatojë Marrëveshjen për Demarkacionin me Kosovën në mënyrë të njëanshme.

“Mali i Zi nuk mund ta zbatojë marrëveshjen njëanshëm. Kjo është edhe një çështje që në marrëdhënie mes dy shteteve, sipas parimit të fqinjësisë së mirë duhet të ketë edhe reciprocitet, mirëkuptim e respekt për integritetin territorial të secilit vend. Në këtë drejtim, konsideroj se marrëveshja bëhet e pazbatueshme nëse nuk janë dakord dy palët”, ka thënë Ymeri, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Ymeri ka thënë se me Malin e Zi duhet të rinegociohet kjo marrëveshje,një në mënyrë që të mos dëmtohet asnjëra palë.

“Natyrisht që kjo marrëveshje duhet që, domosdo,në dritën e fakteve të reja dhe në dritën e atyre fakteve që deri më tani janë prezantuar nga ekspertët e Republikës së Kosovës, por jo vetëm nga Republika e Kosovës, por edhe ekspertë nga Republika e Shqipërisë, të rinegociohet me Malin e Zi, në mënyrë që kufiri të vendoset aty ku do të duhej të ishte, dhe që të mos cenohet integriteti territorial as i Republikës së Kosovës dhe as i Malit të Zi”, ka thënë Ymeri.

Kryetari i Vetëvendosjes edhe me këtë rast është shprehur kundër dialogut me Serbinë siç është zhvilluar ai deri tani.

“Ne jemi absolutisht kundër kësaj mënyre të dialogimit me Serbinë, e veçanërisht jemi kundër për shkak të mungesës së parimësisë në të edhe për shkak të temave të cilat diskutohen të cilat janë asimetrike”, ka thënë ai.

Ymeri ka thënë se dialogu i deritashëm ka prodhuar pasoja për Kosovën, kulmi i të cilave është marrëveshja për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Ky dialog ka prodhuar jashtëzakonisht shumë të këqija dhe rreziqe për Republikën e Kosovës, e që kulmuan me marrëveshjen për themelimin e Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe, që praktikisht ishte një Republikë Serbe brenda Republikës së Kosovës”, ka theksuar ai.

“Republika e Kosovës ka nevojë shumë të madhe për një dialog me dinamik e demokratik për zhvillim të brendshëm dhe në këtë drejtim konsideroj që duhet domosdoshmërish që institucionet qendrore të zhvillojnë dialog me qytetarët e vendit, dhe këtu veçanërisht me pakicat kombëtare që jetojnë në Kosovë, e mbase veçanërisht edhe me pakicën serbe që jeton në Kosovë, në mënyrë që të flasim për domosdonë e zhvillimit ekonomik dhe krijimit të mekanizmave për mirëqenie, ekonomike, sociale e barazi edhe sociale edhe para ligjit për qytetarët e Republikës. Mendojmë që kjo do të ishte rruga e integrimit të të gjithëve në shoqërinë kosovare, në mënyrë që ta kemi një shoqëri e cila edhe është dinamike, në anën tjetër është një bazament i qëndrueshëm për zhvillim të qëndrueshëm e mirëqenie në rritje për qytetarët”, është shprehur Ymeri. (r.m.)

Comment

*