Z-Mobile e dërgon sërish në arbitrazh Telekomin e Kosovës

Prishtinë, 1 nëntor 2019 – Kompania Z-Mobile e ka dërguar sërish në arbitrazh Telekomin e Kosovës.

Sipas informatave që posedon KTV, më 22 tetor Z-Mobile e ka dorëzuar padinë për ndërprerje të bashkëpunimit.

Në korrik të këtij viti Z-Mobile kishte paralajmëruar se do ta dërgojë në arbitrazh Telekomin e Kosovës, pasi kjo e fundit nuk ia vazhdoi kontratën, me arsyetimin  se Z-Mobile nuk i kishte pranuar kushtet për kontratën e re.

“Vazhdimi i kësaj kontrate ka qenë në dobi të Telekomit, të konsumatorëve të Kosovës dhe zhvillimit të një tregu cilësor dhe konkurrent. Telekomi, duke vepruar në kundërshtim me obligimin për mirëbesim, ka zhvilluar kampanjë publike për devalvimin e bashkëpunimit komercial me Z Mobile, gjë që nuk e kemi pritur. Megjithatë, ne besojmë që këto veprime të Telekomit nuk i sjellin asnjë dobi as Telekomit as tregut të telekomunikacionit në Kosovë”, kishte deklaruar “Z-Mobile”.

Në situatën e tillë, “Z Mobile” kishte thënë se, “duke u vënë para aktit të kryer për shkak të mosbashkëpunimit të partnerit, i mbetet pak mundësi të zgjidhjes përveçse ndjekjes së rrugëve ligjore, duke mos përjashtuar inicim të procedurës së arbitrazhit ndaj Telekomit”. (r.m.)

Comment

*