Zaharieva: Shkupi gabon, nëse pret ndryshim të politikës bullgare pas zgjedhjeve

Sofje, 13 janar 2021 – Bullgaria ka qëndrim të unifikuar sa i përket kontestit me Maqedoninë e Veriut dhe kjo vlen si për shoqërinë bullgare ashtu edhe për partitë politike, ka deklaruar ministrja e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva duke komentuar pritjet e zyrtarëve maqedonas, por edhe të opinionit, se ndoshta pozicioni bullgar mund të zbutet pas zgjedhjeve parlamentare në mars.

Në një intervistë për të televizionin shtetëror bullgar (BTV), shefja e diplomacisë bullgare, Zaharieva tha se “pozicioni i Parlamentit bullgar për temën me Maqedoninë e Veriut, është një nga mrekullitë, pasi rrallë ndodh që të jesh kaq unik për ndonjë gjë”.

“Ideja se diçka do të ndryshojë pas zgjedhjeve në vendin tonë është e gabuar. Madje konsideroj se nëse diçka ndryshon, do të jetë edhe më keq… një nga parakushtet për të bërë diçka dhe për të filluar të punojnë me mençuri, për të zgjidhur problemet, është ulja e emocioneve. Sa më shumë që flasim pa emocione, aq më shumë shanse kemi që ta përfundojmë punën”, ka theksuar Zaharieva.

Ajo ka thënë se çështja e gjuhës maqedonase është një nga keqkuptimet që Maqedonia e Veriut po përpiqet të imponojë. Zyrtarët bullgarë edhe më parë kanë thënë se nuk kontestojnë të drejtën e vetëdeklarimit të maqedonasve, por se duhet të pranojnë se gjuha dhe identiteti i tyre kanë “rrënjë bullgare”. Këtë në veçanti e thekson në vazhdimësi zëvendëskryeministri bullgar, Krasimir Karakaçanov.

“Nuk është e vërtetë që ne jemi kundër të drejtës së tyre për identitet. Ne duam të kapërcejmë stereotipat e së kaluarës, të mbyllim edukimin dhe themelimin e kombit bazuar në anti-bullgarizëm, të mbyllim edukatën e urrejtjes ndaj gjuhës bullgare. Ne këtë e duam, nuk është aq e vështirë për mua, por padyshim se është shumë e vështirë për ta”, ka deklaruar shefja e diplomacisë bullgare, Zaharieva.

(REL)

Comment

*