Zbatimi i Pakos Fiskale 2.0 pret Kuvendin dhe Qeverinë e re

Prishtinë, 5 gusht 2017 – Përfaqësuesit e komunitetit të biznesit në Kosovë po kërkojnë që prioritet i qeverisë së ardhshme të jetë pako e dytë fiskale, pasi ende mungojnë udhëzimet administrative që do të përcaktojnë saktë interesin e biznesit.

Pako e dytë fiskale, e miratuar kohë më parë nga Qeveria në detyrë, përfshin një listës prej 22 masave. Një pjesë e saj ka hyrë në fuqi me vendimin e Qeverisë, ndërsa, por diku 70 deri 80 për qind e pakos fiskale realizohet përmes udhëzimeve administrative të cilat ende mungojnë.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ndryshimet në pakove fiskale 1 dhe 2 i ka quajtur si ndryshimet më të suksesshme të kësaj Qeverie.

“Besoj që njëra ndër të arriturat më të mëdha të Qeverisë së fundit ka qenë përveç disiplinës financiare, ndaljes së tendero-manisë masive, ka qenë definitivisht pako fiskal 1 dhe 2. Për efektet e saj më së miri do ta argumentojnë vet bizneset të cilat kanë përfituar dhe janë avancuar. Dua të besoj që pakoja e 2-të e cila është miratuar në Qeverinë e Kosovës , duhet të jetë prioritet i parë i çdo Qeverie që do të vijë në të ardhmen, sepse vetëm në këtë mënyrë duhemi të jemi seriozë përball procesit të zhvillimit ekonomik , serioz përball sektorit privat. Duhet të jemi seriozë përballë ardhmërisë së shtetit që do të bazohet në fuqizim të sektorit privat, në veçanti të sektorit prodhues”, ka thënë Gërxhaliu.

Ai ka shtuar se ardhmëria e zhvillimit ekonomik në vend duket bazuar në sektorin privat dhe në gjenerim të vendeve të reja të punës në sektori privat.

Ismet Mulaj, drejtor ekzekutiv në Odën e Afarizmit të Kosovës (OAK), e ka vlerësuar si një arritje të madhe të Qeverisë Pakon Fiskale 2.0, por ka shtuar se mbetet sfidë zbatimi i saj me udhëzime administrative.

“Realisht pako fiskale 2.0 është një arritje goxha e madhe në interes të biznesit, por sfidë e madhe do të jetë oprocionalizimi i saj me udhëzime administrative, të cilat përcaktojnë saktë interesin e biznesit që e kanë për ketë pako fiskale. Si masë janë në rregull por nëse nuk oprocionalizohet me Udhëzime Administrative konkrete duke i listuar lëndën e parë që duhet të lirohet nga TVSH-ja, që duhet të lirohen të gjitha ato që iu janë premtuar biznesit, nëse nuk miratohen Udhëzimet Administrative, të cilat janë paraparë me pako fiskale, kjo është një dokument i vdekur. Po i kemi parë, masat janë me interes për biznesin parashihet të ndihmohet sektori i prodhimit në Kosovë. Po ashtu në një mënyrë të balancohet prodhuesi me importuesin por e gjitha kjo është në shprehje të vullnetit të Qeverisë”, ka thënë Mulaj

Sipas tij, ende nuk ka informacion nëse Ministria e Financave ka filluar t’i konkretizojë udhëzimet administrative që duhet të miratohen në të ardhmen.

Në ndërkohë, ministrja në detyrë e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ka thënë se është duke u punuar në disa udhëzime administrative, në mënyrë që të fillojë implementimi i masave të reja sa më parë.

Ajo ka thënë se ndryshimet ligjore që nevojiten për zbatimin e këtyre masave i mbetet qeverisë së re.

“Diku 70-80 përqind e pakos fiskale do të bëhet me udhëzime administrative dhe një pjesë e saj ka hyrë në fuqi me vendimin e Qeverisë. Pjesa që nuk do të mund të implementohet derisa të krijohet parlamenti është pjesa e ndryshimit të ligjeve. Besoj që kjo mbetet detyrim për parlamentin e ri, meqenëse është bërë një kooperim të plotë me komunitetin e biznesit”, ka thënë ajo.

Sipas deklaratave të mëhershme të ish-ministrit të Financave, Avdullah Hoti, si masë e parë dhe më e rëndësishme është lirimi nga tatimi doganor i të gjitha produkteve që konsiderohen si lëndë të parë për procesin e prodhimit. Kjo nënkupton ulje të kostos së prodhimit për prodhuesit tanë për rreth 10 përqind.

Si masë e dytë është heqja e normës së akcizës për mazut që përdoret për prodhim.

Masë e tretë është reduktimi nga 18 në 8 përqind i TVSH-së për aktivitetet kulturore, artistike e sportive, për turizëm, për rekreacion dhe për përpunim të peshkut në Kosovë.

Pakoja Fiskale 2.0 synon edhe nxitjen e investimeve në sektorë strategjikë të Kosovës, siç janë; bujqësia, turizmi, teknologjia informative e tjera. (r.m.)

Comment

*