Zbulohet arsyeja e çuditshme se pse Trump refuzoi të zgjidhte John Bolton për Sekretar Shtetit

Ruben Avxhiu

Ruben Avxhiu

Një arsye e çuditshme është përshpëritur si arsyeja kryesore që Presidenti i zgjedhur Donald Trump refuzoi të zgjidhte Ambasadorin John Bolton për postin e Sekretarit të Shtetit.
Disa prej ndihmësve të tij i kanë thënë gazetës “Washington Post” se sipas tyre “mustaqet si furçe” të diplomatit të vjetër kanë qenë një nga arsyet që e penguan në konkurrim.
“Donaldi nuk do ta pëlqente ndonjëherë ato mustaqe”, tha një nga ndihmësit, me kusht që të mos citohej me emër. “Ai nuk ka qejf të mbajë rreth vetes njerëz me mjekrra dhe mustaqe”.
Trump është një president shumë i pazakontë për Amerikën. Ai vjen nga bota e biznesit dhe spektaklit, pa përvojë politike. Të pazakonshme duket se kanë qenë edhe mënyrat sesi ka zgjedhur figurat kryesore të kabinetit. Si rrallë ndonjëherë në histori, pamja e jashtme ka qenë faktor.
Sipas gazetës, pamja impozante ka qenë edhe arsyeja se pse e ftoi ish-kundërshtarin e tij Mitt Romney që të bëhej kandidat për Sekretar Shteti.
“Prezantimi është shumë i rëndësishëm sepse je duke prezantuar Amerikën, jo vetëm në skenën kombëtare por edhe në atë ndërkombëtare, në varësi të postit”, thotë zëdhënësi i ekipit të Trump për tranzicionin e pushtetit, Jason Miller.
Në fund, Trump zgjodhi Rex Tillerson, sepse sipas presidentit të zgjedhur, Tillerson ashtu si Romney bien menjëherë në sy kur hyjnë në një sallë.
Chris Ruddy, shefi ekzekutiv i “Newsmax Media” thotë: “Mos harroni që ai vjen nga biznesi i spektakleve. Ishte në majën e shoubizit dhe mendon se edhe politika është veç të tjerash, shoubiz”. (r.a)

Comment

*