Zeka: Zgjedhjet e shpeshta e pengojnë zhvillimin ekonomik

Prishtinë, 1 shtator 2019 – Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka thënë se zgjedhjet e shpeshta e pengojnë zhvillimin ekonomik të Kosovës, sidomos investimet e reja në Kosovë. Ai ka thënë se zgjedhjet shkaktojnë vonesa në reformat që duhet të sigurojnë ambient të përshtatshëm për biznese.

“Faktori politik është një nga faktorët e rëndësishëm që analizohet nga investitorët, qofshin ata të jashtëm apo të brendshëm. Çfarëdo pasigurie politike, në këtë rast mbajtja e shpeshtë e zgjedhjeve, ndikon në disponimin e këtyre investitorëve. Kjo frenon një pjesë të zhvillimeve në aspektin legjislativ. Çfarëdo që ka qenë në proces legjislativ në legjislaturën paraprake, me krijimin e Kuvendit të ri dhe institucioneve të reja do të kthehen në pikën zero, që do të thotë vonesë në procesin e reformave ose vonesë në krijimin e një mjedisi më të mirë për të bërë biznes”, ka thënë Zeka, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

“Po i përmendi ligjet tatimore dhe një sërë ligjesh tjera që kanë qenë në proces përfshirë edhe Ligjin e punës, i cili është një pjesë e rëndësishme legjislative që rregullon e raportin ndërmjet e punëtorëve dhe punëdhënësve, për cilën është shpenzuar shumë kohë në dy-tre vjetët e fundit, kohë e vlefshme e institucioneve, si dhe nga ana e përfaqësuesve të organizatave të sektorit privat, përfshirë këtu edhe ne. Të gjitha ato rekomandime, komente që janë dhënë, duhet të përsëriten dhe kjo e bën të pakuptim procesin”, ka shtuar ai.

Zeka ka thënë se ndër projektet që do të mbesin peng i procesit zgjedhor do të jenë edhe aplikacionet e investitorëve potencialë strategjikë.

“Në këtë situatë politike, institucionet nuk mund të japin përgjigjen e duhur nëse një kompani i plotëson kriteret për të marrë statusin e investitorit strategjik. Kjo do të thotë që edhe durimi i investitorëve potencialë mund të soset dhe ata mund të marrin vendimin përfundimtar që të ndërpresin interesimin tyre për të investuar në Kosovë, e cila do të bënte dëm për vendin”, ka thënë ai.

Zeka ka treguar se janë mbi dhjetë aplikacione për investime strategjike, të cilat presin përgjigjen e institucioneve shtetërore.

Ai ka thënë se po për shkak të procesit zgjedhor do të shkaktohen vonesa edhe në iniciativat për krijimin e zonave të lira ekonomike, ndër të cilat është edhe ajo për krijimin e Zonës Ekonomike Amerikane, e cila duhet të marrë trajtë ligjore.

“Edhe ato kompani amerikane të cilat kanë dëgjuar për këtë projekt do të shohin një devalvim, pasi që asgjë nuk ndodh në terren dhe gjithçka vonohet deri në krijimin e institucioneve të reja”, ka shpjeguar ai.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë ka folur edhe për prioritetet në fushën e zhvillimit ekonomik të Kosovës. Ai ka theksuar se zhvillimi i sektorit privat duhet të jetë prioritet absolut i qeverisë së Kosovës, kurse për zhvillimin e këtij sektori e ka lidhur me shkallën e sundimit të ligjit.

“Fuqizimi i sektorit privat është kushti i vetëm për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të vendit. Kudo, në secilin aktivitet me bizneset e sektorit privat, e shohim që ekzistojnë probleme të shumta. Shumë prej tyre lidhen me sundimin e ligjit që mbetet në nivel jo të kënaqshëm, pavarësisht investimeve që janë bërë, pavarësisht reformave që janë ndjekur nga Ministria e Drejtësisë, mbështetur nga mekanizmat ndërkombëtarë. Këtu po e përmendi edhe funksionimin e gjykatave. Problemet në zbatueshmërinë e kontratave janë pasojë e një sistemi të dobët gjyqësor. Kjo është një nga çështjet më të rëndësishme me të cilat përballet sektori privat, gjë që pamundëson fuqizimin e tij deri në atë masë që të kontribuojë në zhvillimin ekonomik”, ka thënë Zeka.

Si pengesë tjetër për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të Kosovës ai e ka apostrofuar edhe mungesën e fuqisë punëtorë tënkualifikuar.

“Tani jemi në një situatë ku, pavarësisht të gjitha reformave fiskale, sektori i prodhimit nuk mund të arrijë të gjejë fuqinë e duhur punëtore, pasi që të rinjtë nuk e shohin sektorin e prodhimit si një mundësi ku ata mund të ndërtojnë të ardhme apo karrierën e tyre profesionale. Kjo është ajo në çka duhet të fokusohen institucionet e reja”, është shprehur Zeka. (r.m.)

Comment

*