Zgjedhja e Guvernatorit të BQK-së në pritje të Kuvendit

Prishtinë, 23 janar 2018 – Emërimi i Bedri Hamzës në pozitën e Ministrit të Financave nga ajo e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK, ka bërë që ky institucion të mbetet me ushtrues detyre.

Më 11 shtator 2017, Fehmi Mehmeti, zëvendësguvernatori i BQK-së, është emëruar nga Bordi i BQK-së në pozitën Ushtrues të Detyrës së Guvernatorit deri në zgjedhjen e Guvernatorit të ri.

Në bazë të Ligjit për Bankën Qendrore të Kosovës, Guvernatori, si Kryeshef Ekzekutiv i këtij institucioni, është pjesë e Bordit dhe Kryesues i Bordit Ekzekutiv. Neni 38 i këtij Ligji përcakton edhe mënyrën e emërimit të shefit të saj.

Në pikën 1 të këtij neni thuhet se Guvernatori dhe anëtarët joekzekutiv të Bordit të BQK-së emërohen për një mandat prej pesë vitesh, ndërsa pika dy e këtij neni thotë se kurdo që paraqitet boshllëk do të konstituohet një panel përzgjedhës që ka kompetenca për shqyrtimin e të gjithë kandidatëve i përbërë nga anëtarët e tjerë të Bordit të BQK-së dhe Guvernatori, ku asnjëri prej tyre nuk kërkon riemërim.

“Paneli do t’i përzgjedhë të gjithë aplikantët në bazë të kualifikimeve dhe performancave gjatë intervistimit dhe do të japë shpjegim me shkrim për një përzgjedhje te tillë. Lista me radhitjen e të gjithë aplikantëve që konsiderohen nga paneli se kanë përmbushur kriteret do të dërgohet në Kuvend të Republikës së Kosovës dhe Qeveri, e cila mund t’i japë një mendim Kuvendit të Republikës së Kosovës, me kusht që ky mendim të dërgohet në Kuvend të Republikës së Kosovës brenda pesëmbëdhjetë ditëve”, thuhet në pikën dy të nenit 38.

Mirëpo, në fund kompetencat për përzgjedhjen e guvernatorit i takojnë Kuvendit të Kosovës.

“Nga ajo listë, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të përzgjedhë një individ për secilën pozitë në bordin e Bankës Qendrore që duhet të plotësohet. Pasi që Kuvendi i Republikës së Kosovës të ketë bërë përzgjedhjen e fundit do t’ia përcjellë presidentit këto propozime, i cili pastaj do të miratojë dhe do të emërojë një person për të plotësuar pozitën”, thuhet tutje në nenin 38 të Ligjit për BQK-në.

Sipas një njoftimi të BQK-së, emrat e të përzgjedhurve janë proceduar në Qeveri dhe Kuvend për përzgjedhje përfundimtare.

“Paneli për përzgjedhjen e kandidatëve për Guvernator, pas vlerësimit të integritetit, përgatitjes profesionale, shkathtësive teknike, njohurive të sistemit financiar si dhe njohurive për politika mikro dhe makro ekonomike si dhe pas vlerësimit të përformancës së treguar gjatë intervistës, ka bërë dhe ka dërguar listën përfundimtare Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e BQK-së.

Në panelin vlerësues kanë qenë anëtarët e Bordit të BQK-së, i përbërë nga Bedri Peci, Behxhet Brajshori dhe Nuhi Ahmeti.

Paneli thotë se emrat e propozuar janë zgjedhur në mesin e 28 kandidatëve duke u bazuar në kriteret e bazuara në Ligjin për BQK-në.

Fehmi Mehmeti, Shkëndije Himaj, Besnik Bislimi dhe Safet Merovci janë katër emrat që priten të votohen për të parin e BQK-së.

Fehmi Mehmeti më 11 shtator 2017 është emëruar nga Bordi i BQK-së për Ushtrues Detyre të Guvernatorit deri në zgjedhjen e Guvernatorit të ri, ndërsa në vitin 2013 Mehmeti është emëruar në pozitën e zëvendësguvernatorit për Mbikëqyrje Financiare në BQK.

Në këtë pozitë, Mehmeti është i ngarkuar për licencimin, mbikëqyrjen dhe rregullimin e institucioneve financiare, të cilat operojnë në vend, apo në veçanti të bankave, institucioneve mikrofinanciare, institucioneve financiare jobankare, kompanive të sigurimit, të fondeve pensionale dhe letrave me vlerë.

Mehmeti ka qenë pjesë menaxhmentit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës pas marrjes me koncesion nga konzorciumi turko-francez, ‘Limak & Airport de Lyon MAS’, në periudhën 2011-2013. Gjatë periudhës 2010-2013, ai ka qenë Drejtor Bordi në Ndërmarrjen Publike ‘Uniteti’ në Mitrovicë. Për gati dy vite ka qenë Menaxher i Kontrollit për tatimpaguesit në kuadër të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

Gjithashtu, Mehmeti në periudhën 2010-2013 ka qenë bashkëpunëtor i jashtëm në Universitetin e Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ si ligjërues. Nga nëntori i 2007-së deri në korrik të 2009-së ka qenë këshilltar i TVSH-së për tatimpaguesit pranë ATK-së dhe gati për dy vite ka qenë Drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Vushtrrisë.

Aktualisht Mehmeti është kandidat për PHD pranë ‘State University of Library Studies and Information Technologies’. Ai ka magjistruar për Tregjet Financiare dhe Bankat.

Shkëndije Himaj ka qenë pjesë e BQK-së që nga viti 2004, në të cilën ka ushtruar detyra të ndryshme. Ka qenë zyrtare e lartë për Mbikëqyrje Financiare në BQK, ndërsa ka qenë edhe Këshilltare e Lartë e Bordit Ekzekutiv në BQK. Aktualisht është Koordinatore për Funksione të Përgjithshme në BQK. Gjithashtu është kryesuese e Bordit Menaxhues në Fondin për Sigurimin e Depozitave të Kosovës si dhe Asistente në Universiteti e Lubjanës, Fakultetit Ekonomik.

Safet Merovci është profesor në Fakultetin Ekonomik, të Universitetit ‘Hasan Prishtina’. Në të kaluarën ka qenë pjesë e kabinetit të Qeverisë së Përkohshme në pozitën zëvendësministër i Financave gjatë periudhës 1999-2000. Në periudhën 2002-2004, sipas biografisë se publikuar në uebfaqen e Fakultetit Ekonomik, ai ka qenë këshilltar i Kryeministrit.

Besnik Bislimi ka doktoruar në financat publike në Universitetin e Freibergut të Gjermanisë. Që nga viti 2004 është ligjërues në Universitetin Amerikan të Kosovës, po ashtu mban pozitën e Udhëheqësit të njësisë për Ekonomiks dhe atë të Drejtorit Menaxhues të Qendrës për Hulumtime brenda këtij universiteti. Ai ka qenë deputet i Lëvizjes Vetëvendosje.

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës më 12 janar, është dhënë leja për dërgimin e emrave në Kuvend.

Sipas vendimit, Qeveria jep mendim dhe pajtohet me kandidaturat e propozuara nga Paneli Seleksionues për përzgjedhjen e Guvernatorit të BQK-së.

Po i njëjti vendim e obligon Sekretarin e Përgjithshëm të Zyrës së Kryeministrit që vendimin t’ia dërgojë Kuvendit të Kosovës.

Mirëpo, Lumir Abdixhiku, Kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa, ka thënë për Telegrafin se emrat për Guvernator ende nuk kanë mbërritur në komisionin që e drejton.

/Telegrafi.com/

Comment

*