Zgjedhjet e parakohshme, e vetmja alternativë kushtetuese

Prishtinë, 16 korrik 2019 – Presidenti Hashim Thaçi ka shterur mundësinë për caktimin e një mandatari tjetër për ta formuar Qeverinë.

Kështu ka thënë të enjten Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese dhe profesor i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

Në interpretimin e tij, zgjedhjet e parakohshme tani janë e vetmja alternativë kushtetuese.

Mbështetur në këtë interpretim, kreut të shtetit i mbetet vetëm ta shpallë datën e zgjedhjeve të parakohshme, pas shpërndarjes së Kuvendit.

“Presidenti as nuk mund të zhvillojë konsulta me partitë e tjera parlamentare e as nuk mund t’i drejtohet sërish koalicionit që të japë emrin e mandatarit. Kjo është kështu për shkak të natyrës së funksionit të shefit të shtetit në një demokraci kushtetuese parlamentare, siç është Kosova. Në këto lloje të demokracive kushtetuese, shefi i shtetit (president republike ose monark) nuk ka pushtete ekzekutive aktive: pushtetet e tij, të përkthyera si kompetenca, janë tërësisht neutrale dhe balancuese të tri pushteteve të tjera”, i ka thënë Hasani gazetës “Koha Ditore”.

“Kjo nënkupton se shefi i shtetit nuk mund të involvohet në procese politike, siç është rasti i formimit të Ekzekutivit, duke bërë vlerësime personale për raportin e forcave politike në vend”, ka shpjeguar ai.

Sipas Hasanit, shefi i shtetit, në këtë kuptim, ka rol pasiv dhe vetëm i përmbahet raportit të forcave që kanë lindur në zgjedhjet e fundit nacionale, gjë që vërtetohet me certifikatën e KQZ-së, dhe jo me vlerësimin politik të presidentit se kush është fitues e kush humbës.

Hasani ka thënë se kjo nënkupton që në momentin që koalicioni fitues ka thënë se nuk ka mandatar, atëherë shefi i shtetit vetëm duhet të pajtohej me këtë konstatim dhe të ndërpriste çdo hap tjetër, ndërsa partitë politike nuk kanë zgjidhje tjetër kushtetuese pos ta  shpërndajnë Kuvendin. (r.m.)

Comment

*