Zgjedhjet e vitit 1992 në Kosovë, 16 kongresistë amerikanë uruan Rugovën

Muhamet Hamiti

(Kujtesë për zgjedhjet historike të Kosovës të vitit 1992)

Nëpërmjet një letre të përbashkët, 16 anëtarë të Kongresit amerikan, kishin uruar Ibrahim Rugovën për zgjedhjen e tij President i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e 24 majit të vitit 1992, zgjedhjet e para shumëpartiake në historinë e Kosovës, që u mbajtën para 28 vjetësh.

Në faqen e parë të mesazhit (shih foton e letrës origjinale) dalin emrat dhe nënshkrimet e Eliot L. Engel-it dhe Susan Molinari-t, ndërsa në të dytën të 14 kongresistëve të tjerë, përkrahës të çështjes së Kosovës, ndër të cilët edhe Tom Lantos.

Letra që mban datën 26 qershor 1992 kishte këtë tekst:

 

26 qershor 1992

I nderuari Ibrahim Rugova

President i Republikës së Kosovës

38000 Prishtinë, Kosovë

 

I dashur President Rugova,

I kemi përcjellë zgjedhjet kosovare të 24 majit me një përzierje brenge të madhe dhe pritmërie të thellë: brengë se regjimi i Beogradit do të përpiqej të ndalonte me forcë votimet, dhe pritmërie se kosovarët do të ndërmerrnin një hap tjetër vendimtar drejt pavarësisë dhe demokracisë së lirë.

Duam t’ju përgëzojmë për zgjedhjen tuaj pothuaj unanime si President dhe t’ju dëshirojmë më të mirat në punët e vështira që ju presin. Jemi në dijeni se ju dhe anëtarët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës, të sapokonstituuar, keni vendosur të qëndroni në Kosovë dhe që Qeveria juaj e re të veprojë hapur. Rreziqet që ju dhe kolegët tuaj keni përballuar dhe po përballoni janë të hatashme dhe ne do të bëjmë çmos t’ju përkrahim ju dhe anëtarët kosovarë të Kuvendit gjatë kësaj kohe të vështirë.

Bashkësia ndërkombëtare më në fund ka nisur ta kuptojë se çfarë regjimi kontrollon ushtrinë serbe dhe na mban shpresa se Millosheviqi dhe përkrahësit e tij do të nisin të ndiejnë së shpejti efektet e qortimeve të forta ndërkombëtare. Në synojmë të vazhdojmë të angazhohemi për liri politike në Kosovë dhe të kundërshtojmë politikat brutale dhe të gabuara të Qeverisë së Beogradit.

Edhe në një herë, në fund, ju përgëzojmë për fitoren tuaj të thellë në zgjedhje dhe mezi presim të bashkëpunojmë me ju në të ardhmen.

Përzemërsisht,

Eliot. L. Engel, Susan Molinari, William Broomfield, Dick Swett, William Zeliff, Tom Lantos, Frank Horton, Albert Bustamante, Michael McNulty, Wayne Owens, Don Ritter, James Sensenbrenner, William Dannemeyer, Jolene Unsoeld, Charles Wilson, Elton Gallegly, anëtarë të Kongresit Amerikan.

Image may contain: textNo photo description available.

(Muhamet Hamiti ka qenë njëri ndër bashkëpunëtorët e afërt të Ibrahim Rugovës, si kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe si President i Republikës. Prej vitit 2002, ka qenë këshilltar për medie i Presidentit Rugova e pastaj këshilltar politik i Presidentit Fatmir Sejdiu.)

One Response to “Zgjedhjet e vitit 1992 në Kosovë, 16 kongresistë amerikanë uruan Rugovën”

Read below or add a comment...

  1. Kosovari says:

    Institucinet e Kosoves se paslufte, kane oblig im dhe detyre qe, te nderojne ish deputetet e sakrif ices te zgjedhur me 24 Maj 1992 dhe ata te Marsit 1998.Pa harruar edhe Kuvendaret qe aprovuan Kushtetuten e Kosoves dhe shpallen Kosoven Repubike te 7 Shtatorit 1991.Disa nga tash te ndjer,por disa prej tyre tash te shtyer ne moshe, por jane te gjalle.Keta qe kane perjetuar kenaqesine e lirise se popullit dhe clirimit te Kosoves,qe jane edhe fryte e veprimtarise se tyre politike, do ishte mire, qe me ndonje shperblim modest, t’ju plotesojme edhe nje kenaqesi fizike materiale per te cilen kane nevoje te dosmosdoshme.

Leave a Reply to Kosovari Cancel reply

*