Zgjedhjet në Kosovë, dyshime për pastërtinë e kandidatëve

Prishtinë, 10 shtator 2019 – Njëzetepesë subjekte politike, nga të cilat 20 parti e katër koalicione si dhe një kandidat i pavarur, janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit në Kosovë.

Mbi një mijë kandidatë të këtyre subjekteve do të konkurrojnë për t’u bërë pjesë e parlamentit 120 vendesh. Partitë janë zotuar për përzgjedhjen e kandidatëve që siç thuhet do të qeverisin në të ardhmen më duar të pastra.

Por organizatat e shoqërisë civile thonë se partitë politike edhe kësaj radhe kanë përfshirë në listat e kandidatëve për deputetë njerëz që kanë probleme me ligjin.

Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi i tha Zërit të Amerikës se 26 syresh kanë aktakuza ose tashmë janë të dënuar për vepra të ndryshme, kryesisht për korrupsion.

“Ta zëmë në vitin 2010 i kemi pasur vetëm dy kandidatë ku njëri prej tyre ka arritur të bëhet deputet, ndërsa në vitin 2014 kanë qenë 15 kandidatë ku 12 prej tyre kanë arritur të bëhen deputetë, ndërsa në vitin 2017 e kemi pasur numrin më të madh prej 27 kandidatëve që kanë pasur probleme me ligjin dhe pothuajse numër i ngjashëm është edhe për zgjedhjet e vitit 2019”, thotë ai.

Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se përbërja e listave zgjedhore ka ndikim shumë të madh në ditën e zgjedhjeve.

“Në ditën e zgjedhjeve varësisht se kush është pjesë e listës ndikon shumë te votuesi se a do të dalë të votojë ose jo, duhet qytetarëve t’u ofrohen alternativa dhe nëse një i ri i cili në vazhdimësi sheh persona të njëjtë në lista dhe performancën e dobët të tyre nuk e di se cfarë motivi mund të ketë të dalë të votoj për njerëz që nuk pritet diçka e re prej tyre. Normalisht edhe nëse ka persona të besueshëm e profesional atëherë kjo padyshim ndikon në daljen më të madhe të votuesve që do të ishte pozitive për demokracinë në Kosovë”, thotë ai.

Nga listat aktuale të kandidatëve thonë ata, varet përbërja e parlamentit dhe qeverisë së re dhe rrjedhimisht edhe besimi i qytetarëve në këto institucione.

“Derisa në vitin 2014 dhe 2010 i kemi pasur nga dy ministra që kanë pasur aktakuza, në qeverinë e fundit i kemi pasur 14 zyrtarë që duke filluar prej zëvendëskryeministrit, ministrave, zëvendësministrave, kanë pasur aktakuza. Kryesisht një pjesë e tyre kanë qenë me aktakuza për korrupsion. Kjo natyrisht që është jashtëzakonisht e dëmshme për standardin e një qeverisje të mirë dhe ndikon drejtpërdrejtë edhe në humbjen e besimit të qytetarëve te punët që kryen secila qeveri që në mesin e vet ka persona që kanë aktakuza”, thotë zoti Musliu.

“Ne kemi parë që kuvendi në vazhdimësi qysh prej legjislaturës së pestë në vazhdimësi është përballur me kriza politike dhe paaftësi të deputetëve për t’i tejkaluar këto dhe një klasë e re politike normalisht që do t’i zgjidhte shumë më mirë. Në anën tjetër edhe secila qeveri deri tash është përballur me skandale korruptive, është përballur me mos punë dhe me shumë aspekte tjera negative që kanë ndikuar në stagnim të proceseve jo vetëm integruese por edhe të proceseve ditore”, thotë zoti Murati.

Sundimi i ligjit dhe negociatat për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë janë sfidat kryesore që e presin pushtetin e ri që do të dalë nga zgjedhjet e reja.

(Edlira Bllaca, Zëri i Amerikës)

Kush duhet te fitoje ne zgjedhjet e 6 tetorit ne Kosovë?

  • Vetëvendosja (47%)
  • LDK (43%)
  • PDK (8%)
  • AAK-PSD (2%)

Loading ... Loading ...

Comment

*