I zhgënjyer me Amerikën, pak shpresë për drejtësi nga Serbia

“Kur ata më shohin mua, nuk është se ndihen keq… Nganjëherë, ministrat nuk më lënë as t’i përfundoj pyetjet. Më ndalojnë fjalën dhe më thonë se unë nuk kuptoj”, thotë Fatos Bytyqi, i cili ka 17 vite që kërkon gjetjen dhe dënimin e vrasësve të tre vëllezërve të tij.

 

Kah fundi i qershorit të vitit 1999, vëllezërit Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqi po e shoqëronin një familje rome jashtë Kosovës, në kufi me Serbinë. Ishte një akt mirësie. Vëllezërit Bytyqi – prindërit e të cilëve e njihnin mirë këtë familje – po ua garantonin kalimin e sigurt të kufirit, pasi shumë shqiptarë i shihnin romët me dyshim gjatë kohës së luftës.

Por, në afërsi të fshatit Merdar, diçka shkoi keq. Pasi kishin hyrë brenda vijës kufitare të pashënuar, vëllezërit u kapën dhe u burgon për dy javë, nën akuzën se kanë kaluar kufirin jashtëligjshëm.

Kur ata u liruan, një makinë e bardhë, pa targa, e cila drejtohej nga njerëz me rroba civile, po i priste para Burgut të Prokuples. Të tre vëllezërit u dërguan më pas në një njësi speciale të Policisë në Petrovo Selo, në afërsi të kufirit me Rumaninë, dhe qysh atëherë nuk janë parë më kurrë të gjallë.

Për vëllanë e tyre të vogël, në atë kohë ka filluar tragjedia e vërtetë që e mban atë ende në kërkim të drejtësisë.

Teksa vëllezërit e tij ishin qytetarë amerikan, të lindur në Illinois, Fatosi ka lindur në Prizren, pasi prindërit u kthyen nga SHBA-ja. Ishte viti 1979 dhe Kosova e Serbia ishin Jugosllavi.

Ylli ishte 19 vjeç kur vëllezërit e tij iu bashkëngjiten Brigadës së Atlantikut,  një grup prej 400 ushtarëve shqiptaro-amerikanë që u nisën nga Amerika në prill të vitit 1999, për t’iu bashkuar luftës për pavarësinë e Kosovës nga Serbia.

Vëllezërit erdhën shumë vonë në Kosovë dhe nuk luftuan aq, pasi në mesin e qershorit 1999 përfundoi fushata e bombardimeve të NATO-s e cila çoi në tërheqjen e forcave jugosllave nga Kosovë, si dhe zëvendësimin e tyre me trupat paqeruajtëse të NATO-s.  Megjithatë tre vëllezërit ishin ende anëtarë të UCK-së.

Në ditën që u arrestuan ata kishin mjete identifikuese amerikane, si patentën e shoferit të Nju Jorkut dhe po mbanin në qafë mjetet identifikuese si ushtarë, andaj edhe janë arrestuar si të dyshuar për spiunazh.

Disa javë pasi ata janë zhdukur, një grup i të drejtave të njeriut në Beograd, arriti t’i marrë letrat e lirimit të tyre nga burgu. Më pas Fatosi bashkë me nënën e tij, shkoi në Prokuple, ku mësoi për makinën e bardhë. Por, atij i mori edhe dy vite kohë për ta bërë të qartë fatin e vëllezërve të tij.

Në korrik të vitit 2001, trupat e tyre u gjetën në një varr masiv në Petrovo Selo. Duart i kishin të lidhura me tela pas shpine dhe ishin qëlluar në kokë. Sipas një agjenti të FBI-së, i cili i kaloi gjashtë vite duke e hetuar rastin, lëkura e tyre tregoi shenja të goditjeve elektrike, duke lënë të nënkuptohet për një torturë të ushtruar ndaj tyre.

Fatos Bytyqi 1

Sot,  Fatosi është 37 vjeç dhe është menaxher i një dyqani “7-Eleven” në Hampton Bays, në Long Island, pak minuta jashtë Nju Jorkut, aty ku ai ka jetuar dikur, së bashku me vëllezërit e tij.

Vëllai i katërt, Iliri, qëndroi gjithashtu në këtë qytet, për të punuar më shumë në mënyrë që ta ndihmojë familjen.

Fatosi është njeri fjalëpak, por shumë punëtor dhe kërkues. Ai për më shumë se një vit rresht ka udhëtuar në Serbi, ku është takuar me kryeministrin, me kryeprokurorin për krime të luftës, me ministrin e Brendshëm dhe me zyrtarë të tjerë të lartë, për të nxitur përpjekjet që të gjenden vrasësit e vëllezërve të tij.

Hetimet janë kryer nga dy hetues serbë të ndihmuar nga FBI. Por, shumica e kësaj pune të bërë me vite nuk ka lëvizur asgjë.

Tribunali i Hagës është duke u mbyllur dhe Serbia është duke negociuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian me ndihmën e Shteteve të Bashkuara, e cila dalëngadalë e ka vënë në harresë rastin e vëllezërve Bytyqi.

Por Fatosi nuk është dorëzuar. Ai refuzon të dorëzohet.

Natyrisht, zyrtarët me të cilët Fatosi takohet në Beograd i kërkojnë atij të jetë i durueshëm, duke i premtuar se rasti do të zgjidhet shpejt.

“Kur ata më shohin mua, nuk është se ndihen keq. Nëse ata do të ndienin keqardhje, rasti do të zgjidhej  shumë më herët”, thotë Bytyqi.

“Nganjëherë ministrat nuk më lënë as t’i përfundoj pyetjet. Më ndalojnë fjalën dhe më thonë se unë nuk kuptoj”, shton Fatosi.

Megjithatë ai është i vendosur ta vazhdojë kërkimin.

“Për të punuar në krimet e luftës ndaj vëllezërve tu të nevojitet vetëm pacientit”, thotë vëllai tjetër, Iliri, që e ndihmon Fatosin në hulumtim dhe komunikim.

“Ballafaqimi me gjithë këta njerëz të Qeverisë (në SHBA) dhe posaçërisht në Serbi, të cilët të thonë atë që ti ke dëshirë ta dëgjosh, mund të të zhgënjejë shpejt”, thotë ai.

Është e qartë se autorët e krimit ishin në mesin e një numri të kufizuar të njerëzve me qasje në bazën e njësisë speciale të policisë në Petovo Selo, ku edhe u ekzekutuan dhe u varrosën vëllezërit Bytyqi.

Deri më sot, vetëm dy njerëz janë gjetur – Sreten Popoviq dhe Milosh Stojanoviq – të cilët i kanë transportuar vëllezërit Bytyqi, me makinën e bardhë nga burgu i Prokupljes. Ata u akuzuan për ndihmë dhe fshehje të krimeve të luftës, por u liruan një herë në vitin 2009 dhe më pas në rigjykim, në vitin 2012, me arsyetimin se ata kanë luajtur vetëm një rol të vogël në gjithë historinë, duke i shfajësuar për pjesëmarrje në një krim lufte.

Fatos Bytyqi është i bindur se vetëm një njeri është çelësi i gjithë historisë. Ai është gjenerali ne pension Goran Radosavleviq, i njohur me nofkën “Guri”. Ai ishte komandant i bazës në Petrovo Selo, por vetë ai thotë se ishte larg bazës në kohën kur ndodhën vrasjet, anipse këtë gjë e konteston të paktën një person nga stafi i kësaj baze.

Radosavleviq është një njeri i fuqishëm.  Ai vazhdoi t’i drejtojë  forcat speciale të Policisë së Serbisë, apo xhandarmërinë, siç njihet një versionin zyrtar. Gjithashtu, ai është një biznesmen i respektuar dhe një anëtar i Kryesisë së Partisë Përparimtare Serbe, parti e presidentit në largim, Tomislav Nikoliq dhe atij në ardhje, Aleksandar Vuçiq.

Zyrtarët serbë shpeshherë ia atribuojnë këtij rasti mungesën e dëshmitarëve si fakt që procesi është paralizuar. Fatos Bytyqi e di që do të jetë e vështirë që të bindet për të dëshmuar kundër një njeriu, i cili shfaqet në televizion, ulur afër kryeministrit dhe presidentit.

Në vizitën e tij të fundit në Serbi, vjeshtën e kaluar, Fatosi ishte frustruar.

“Kur diplomatët amerikanë takohen me zyrtarët serbë ata i pyesin vetëm me ‘Çfarë ka të re në rastin Bytyqi?’. Kjo është shenjë që ata nuk po i bëjnë presion Serbisë”, thotë Bytyqi.

“Ata duhet të thonë: ‘Ju i keni vrarë tre qytetarë tanët’”, thotë Fatosi me zemërim.

“Ata e takojnë kryeministrin serb gjatë tërë kohës dhe duhet ta përmendin më shumë këtë rast. Unë udhëtoj 10 orë për të ardhur në Serbi dhe të planifikoj se si t’i aranzhoj punët mes ambasadës dhe Ministrisë së Brendshme të Serbisë”.

Diplomatët amerikanë nuk pranojnë të komentojnë. Por, në vitin 2014, zëvendësshefi i misionit, Gordon Duguid, vuri në dukje një numër arsyesh pse askush nuk ishte akuzuar për këto vrasje.

Sipas tij, transformimi i ngadalshëm i pushtetit të drejtësisë nga i forti tek ligji, rezistenca e vazhdueshme në raport me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën bashkë me hezitimin e serbëve për të dëshmuar kanë ndikuar në ngecjen e zbardhjes të së vërtetës dhe dënimit të autorëve.

Fatos Bytyqi 2

Në një nga mbrëmjet e vizitës së tij në Beograd, Fatosi shkon në Zyrën për të Drejtën Humanitare, për të parë një dokumentar në lidhje me rastin, i cili u transmetua në televizionin serb, për të vazhduar më pas kërkimin e tij.

Themeluesja 70 vjeçare e kësaj qendre, Natasha Kandiq, një aktiviste e të drejtave të njeriut dhe mbështetëse e fortë e Fatosit, e vlerëson atë pikërisht për “luftën kundër heshtjes”.

Por, cilat janë shanset që Fatosi të jetë i suksesshëm në gjetjen e autorëve të vrasjes. Kryeministri Vuçiq, në vitin 2015, ka thënë se rasti “do të zgjidhet më shpejt se sa të gjithë mendojnë”.

Të tjerët argumentojnë se Serbia duhet të merret me raste më të mëdha të krimeve të luftës, para mbylljes së procesit të pranimit në BE.

Avokati i Bytyqit, Praveen Madhiraju, mendon se Prokuroria  mund të ngre një aktakuzë të re, por ai nuk shpreson se do të ndiqet penalisht ndonjë figurë e lartë.

Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare, nga 170 raste të ngritura nga Zyra e Prokurorit për Krime Lufte në 13 vitet e ekzistencës së saj, vetëm në gjashtë raste janë ndjekur penalisht, urdhër-dhënësit.

“Një mrekulli duhet të ndodhë”, thotë Milica Kostiq nga kjo Qendër.

“Ka pak shpresë”, shton ajo.

Por, Fatos Bytyqi, megjithatë, ka shpresë se një ditë do të ketë drejtësi. Ai e vë besimin e tij në Zot.

“Një ditë  vrasësit do të gjenden”, thotë ai.

(Shkrimi është prodhim i Qendrës për Gazetari Hulumtuese, i botuar në BBC, përkthyer në shqip nga Insajderi.com) 

Comment

*