Zhvendosja e Republikanëve djathtas do të vazhdojë me apo pa Presidentin Trump

Ruben Avxhiu

Presidenti Donald Trump pa kufirin e ndikimit të tij në radhët e Republikanëve në Albama. I preferuari i tij, Luther Strange humbi garën për kandidat për Senatin Amerikan, përballë ish-gjykatësit Roy Moore.
Ndonëse Trump mbetet popullor mes Republikanëve të këtij shteti, ata refuzuan të dëgjojnë thirrjen e tij në këtë votë.
Roy Moore do të ndeshet në fund të vitit me kandidatin e Partisë Demokratike, Doug Jones.
Vendi në Senat ka mbetur bosh që kur ish-Senatori Jeff Session u bë Prokuror i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara nga Presidenti Trump. Sessions kishte zgjedhur Luther Strange për ta zëvendësuar dhe Trump ishte kënaqur me besnikërinë e tij ndaj presidentit në Senat.
Mirëpo, megjithë mbështetjen nga Shtëpia e Bardhë dhe milionat në ndihmë të fushatës së tij, ai humbi 55% me 45% përballë ish-gjykatësit Moore.
Demokratët e paraqesin Presidentin Trump si një ekstremist, po në këtë garë “ekstremisti” ishte padyshim fituesi Roy Moore, i njohur edhe si Ajatollahu i Alabamas për shkak të pikëpamjeve të tij të forta fetare.
Ai humbi vendin e tij si anëtar i Gjykatës Supreme në Alabama përshkak të shkeljeve të shumta të detyrës për arsye fetare. Ai udhëzonte vartësit e tij që t’ua refuzonin dokumentin e martesës çifteve homoseksuale pavarësisht prej ligjit. Si dhe refuzoi urdhërin e vetë gjykatës për të hequr nga ndërtesa një monument të Dhjetë Urdhërimeve.
Një zyrtar që nuk kupton rëndësinë e ndarjes së kishës ndaj shtetit në demokracinë amerikane nuk ka vend as në Gjykatë e as në Kongres, mirëpo Republikanët nuk mendojnë më kështu. Fitorja e tij ishte një shenjë se zhvendosja djathtas e partisë do të vazhdojë edhe pa Presidentin Trump.
Fushata për Moore u mbështet nga ish-eminenca gri e Presidentit Trump, Steve Bannon, nga Nick Farage që kishte udhëtuar atje nga Mbretëria e Bashkuar ku është shquar në fitoren e referendumit për Brexit, si dhe nga figura të tjera të të djathtës amerikane si ish-guvernatorja Sarah Palin dhe Phil Robertson, nga seriali “Duck Dynasty”.
Moore është kaq i marrë nga pikëpamja fetare s aka deklaruar që 11 Shtatori ka qenë dënimi i Zotit për amerikanët për shkak të sodomisë dhe abortit.
Ai ka kritikuar Presidentin Trump se po shkëputet nga baza e tij dhe ka sulmuar ashpër udhëheqjen republikane në Senat. Këta të fundit, me në krye Mitch McConnell nuk është çudi nëse shpresojnë për një fitore surprizë të Demokratëve në këtë shtet.
Shtëpia e Bardhë nxitoi të ndryshojë qendrim gjithashtu. Trump fshiu mesazhet e tij në Tuitër në favor të kandidatit tjetër, ndërsa Mike Pence që kishte bërë fushatë kundër Roy Moore e uroi me entuziazëm pas fitores.
Kjo betejë ka rëndësi, sepse disa të tilla priten të zhvillohen vitin e ardhshëm në Partinë Republikane, mes udhëheqësve të moderuar dhe rebelëve të të djathtës të skajshme, disa nacionalistë e disa fetarë. Shija e parë ishte e hidhur për konservatorët tradicionalë. Të paktën në Alabama nuk fituan dot as me Presidentin Trump në krye. Në mbarë jugun, po edhe më tej, sfiduesit e partisë nga e djathta do të gjallërohen si kurrë më parë. (Ruben Avxhiu)

Comment

*