Zhvendosjet tektonike në qëndrimet ndaj Izraelit

Daniel Pipes

Nga Daniel Pipes, Washington Times

27 dhjetor, 2018 – Ndërkohë që arabët dhe muslimanët po ngrohen me Izraelin, e Majta po ftohet gjithnjë e më shumë. Këto zhvendosje lënë të kuptojnë që shteti Hebre ka një imperativ të vetëm.

Lidhur me zhvendosjen e parë: Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, kohët e fundit vuri theksin në “një ndryshim të madh” në botën arabe e cila po lidhet gjithnjë e më shumë me kompanitë izraelite, sepse ka nevojë për “teknologjinë dhe novacionet, … , ujë, elektricitet, kujdes mjekësor dhe teknologji të lartë” izraelite. Duke shpjeguar këtë normalizim si rrjedhojë e faktit që shtetet arabe “po shohin për t’u lidhur me të fuqishmin”, Netanyahu tregoi shumë takt ndaj liberalëve amerikanë kur shtoi dhe një tjetër faktor: politika e marrjes me të mirë të Teheranit, e ndjekur nga Barak Obama, i shtyu shtetet arabe që të shohin më seriozisht se cilat janë kërcënimet e vërteta me të cilat po përballen.

Miri Regev, Ministrja izraelite e Kulturës dhe e Sporteve, qau kur gjatë ceremonisë së fitores së xhudistit Sagi Muki në Abu Dhabi u luajt “Hatikvah”.

Është me interes të përmendet që lufta në shkallë të gjerë e shtetit arab kundër Izraelit zgjati vetëm 25 vjet (1948-73) dhe mbaroi 45 vite të gjata më parë dhe që atëherë Turqia dhe Irani kanë marrë stafetën e anti-sionizmit.

Nuk janë vetëm kompanitë izraelite që kanë hyrë me sukses në vendet arabe. Ministrja izraelite e sporteve shpërtheu në lot kur u luajt Hatikvah, himni komëbtar i Izraelit në Abu Dhabu për nder të fitores së atletit izraelit. Qarkullojnë zëra rreth një shtrëngimi të mundshëm duarsh mes Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammad bin Salman (MbS) dhe kryeministrit të Izraelit.

Fakti që armiqësia arabe dhe musulmane ka pësuar thyerje, mbase për të mos u rithyer më aty ku ishte, përbën një zhvendosje tektonike në konfliktin arabo-izraelit. E dyta, jo më pak e rëndësishme, përfshin armiqësinë në rritje ndaj Izraelit të së majtës botërore.

Kjo prirje mund të gjendet në mënyrë të vazhdueshme nga Koreja e Jugut në Tajlandë, në Afrikën e Jugut, në Suedi, në Brazil. Për herë të parë këtë fenomen e vuri në dukje konferenca e Durban-it në vitin 2001. Mes shumë platformave të tjera, lëvizja “Black Lives Matter” (Jetët e të zinjve kanë rëndësi) e akuzon Izraelin për “apartejd” dhe “genocid”. Një sindikatë komuniste në Indi që përfaqëson 16 milionë fermerë, gjithashtu iu bashkua lëvizjes BDS (lëvizje e cila promovon në shkallë botërore forma të ndryshme të bojkotimit të Izraelit).

Një tubim i organizatës AIKS (All India Kisan Sabha). Vini re draprin dhe çekanin.

Qendrimet ndaj shtetit hebre ndjekin pothuajse një vijë lineare progresioni të një negativiteti në rritje, kur shkon nga e djathta në të majtë. Një anketim në 2012 nga Qendra Kërkimore Pju me të rriturit amerikanë tregoi se 75 përqind e republikanëve konservatorë kanë më shumë simpati për Izraelin sesa për palestinezët, të ndjekur nga 60 përqind e republikanëve të moderuar dhe liberalë, 47 përqind e të pavarurve, 47 përqind e demokratëve konservatorë e të moderuar, dhe 33 përqind e demokratëve liberalë.

Nuk ka qenë gjithmonë kështu. Josif Stalini ishte shumë instrumental në lindjen e Izraelit në 1947-49 duke u dhënë mbështetje diplomatike dhe armatime saqë Abba Eban, ambasadori i parë i Izraelit në OKB, komentoi se “nuk do t’ia kishim dalë dot as diplomatikisht e as ushtarakisht”, po të mos ishte për ndihmën sovietike. Demokratët Harry Truman dhe John F. Kennedy renditen mes presidentëve amerikanë më proizraelitë, kurse republikani Dwight Eisenhower ishte padyshim më antagonisti.

MbS përballë Jeremy Corbyn simbolizon këto dy zhvendosje tektonike, po ashtu edhe fakti që Izraeli tani ka marrëdhënie më të mira me Egjiptin sesa me Suedinë. Presidenti i Çadit shkon në Izrael, kurse një këngëtar nga Zelanda e Re jo. Atletët e Izraelit konkurrojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe, por ndalohen në Spanjë. Myslimanët po tregojnë një indiferencë në rritje për dështimin e diplomacisë palestinezo-izraelite, por e Majta shpreh një zemërim gjithnjë në rritje për këtë.

Kjo pikë e fundit ka rëndësi të madhe: Furia kundër Izraelit nuk është për marrëdhëniet ashkenazi-sefardi, tensionet në Malin Tempull, ndonjë sulm të mundshëm mbi infrastrukturën bërthamore të Iranit apo për armët bërthamore të vetë Izraelit. Në vend të këtyre, shqetësimet janë pothuajse në mënyrë ekskluzive për rreth 3 milionë palestinezët e Bregut Perëndimorë dhe Gazës. Falë një gërshetimi të ekspertizës palestineze të marrëdhënieve publike dhe antisemizmit të vazhdueshëm, fati i kësaj popullate të vogël dhe të pafuqishme, por fanatike, është shndërruar në një çështje të përparësisë botërore, duke marrë pafundësisht më shumë vëmendje se fjala vjen, Etiopia – dhe motivon pothuajse të gjitha denoncimet e Izraelit.

Qendra Kërkimore Bërthamore “Shimon Peres”, e Negevit në Dimona: nuk është shkaku i problemeve të izraelit në marrëdhëniet publike.

Prandaj, kur e Majta, tani shumëkund e lënë jashtë pushtetit, eventualisht, të kthehet në qeveri në vende si Japonia, India, Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, Izraeli do të përballet me një krizë për shkak të gjendjes së pazgjidhur në Bregun Perëndimor dhe Gazës.

Prandaj, një zgjidhje e kësaj çështjeje duhet të jetë një përparësi kryesore për izraelitët.

Kjo nuk nënkupton trumbetimin e një tjetër “plani paqeje”, që është i dënuar të përplaset në shkëmbin e fortë të papajtueshmërisë palestineze. Ajo nënkupton, cilido qoftë plani i preferuar i kujtdo pale, nevojën për t’i dhënë fund agresionit palestinez kundër Izraelit: jo më sulme vetëvrasëse, balona shpërthyese dhe raketa. Vetëm kjo do të zbusë zemërimin e së majtës.

 

Vetëm një fitore e Izraelit dhe një disfatë palestineze do t’ia arrinte kësaj. Me fjalë të tjera, t’i bësh palestinezët të ngrenë duart lart është një përparësi urgjente si për Izraelin ashtu dhe për mbështetësit e tij.

 

Comment

*