Zhvillimi i tregut të kapitalit përputhet tërësisht me objektivat kryesore të BQK-së

Ka përfunduar punimet Konferenca tradicionale vjetore e Bankës së Shipërisë e bashkëorganizuar me Universitetin e Oksfordit, më konkretisht me Kolegjin St Anthony. Gjatë punimeve të kësaj Konference u arrit në përfundimin se politika monetare po gjenë mbështetje në instrumentet e tjera financiare. Në këtë mënyrë, ajo mund të përfitojë nga zhvillimi i mëtejshëm i institucioneve financiare, pasi ky zhvillim së bashku me përdorimin e instrumenteve financiare ka një ndikim të drejtpërdrejtë në përçimin e efekteve të politikës monetare. Kjo sipas pjesëmarrësve panelist të kësaj Konference , nënkupton se politika monetare dhe zhvillimi i tregjeve financiare janë mjaft të rëndësishme për ecurinë dhe nxitjen e mëtejshme të ekonomisë, si dhe për vazhdimin e reformave dhe politikave të ndërmarra.

Pjesëmarrësit gjithashtu vunë në dukje se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është dhe mbetet një vulë e rëndësishme për të gjitha vendet e rajonit. Megjithatë, zhvillimi i mëtejshëm i reformave, politikave të brendshme dhe institucioneve vendase duhet të jenë prioritete të vazhdueshme për to.Nga ana tjetër gjithnjë sipas debatuesve të kësaj ngjarje, këto vende duhet të punojnë intensivisht për uljen e pasigurive makroekonomike dhe financiare, thellimin e sektorit bankar, zhvillimin e tregjeve të kapitalit, si dhe diversifikimin e portofoleve të investimit.
Thellimi dhe zgjerimi i mëtejshëm i tregut financiar edhe në segmente të tjera, si dhe rritja e edukimit financiar, ishin disa prej konkluzioneve të rëndësishme që u theksuan gjatë punimeve të konferencës. Ndërmarrja e këtyre masave do të përmirësonte efiçiencën e politikave të bankave qendrore, do të mbronte investitorët, do të kontribuonte në uljen e rreziqeve, si dhe do të siguronte qëndrueshmëri më të madhe makroekonomike dhe financiare.
Gjatë konferencës u theksua se mbas krizës së fundit financiare u vu re se goditjet financiare kanë efekte madhore jo vetëm për sistemin bankar, por edhe për sektorin real dhe mirëqenien e vendit në tërësi. Në këtë pikë, pjesëmarrësit diskutuan se stabiliteti i çmimeve është një kusht i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm për të siguruar stabilitetin financiar. Nga ana tjetër, politikat makroprudenciale nuk mund sigurojnë të vetme stabilitetin financiar të vendit. Si rrjedhojë, identifikimi i goditjeve financiare dhe koordinimi midis politikës monetare dhe asaj financiare është i rëndësishëm, duke marrë parasysh se ekziston një efekt i ndërsjellë midis tyre.
Në konkluzionet përfundimtare të konferencës u theksua se megjithëse, vendet në zhvillim kanë treguar që kanë zgjidhur me sukses disa probleme, ato do të përballen me sfida të tjera në të ardhmen, të cilat nuk lidhen vetëm me sistemin bankar. Disa prej tyre lidhen drejtpërdrejtë me zhvillimin e tregjeve të reja të kapitalit.
Në këtë kontekst, bashkëpunimi rajonal midis vendeve dhe institucioneve të tyre, duhet të jetë prioritet për vendet e Evropës Juglindore. Kjo do të shërbejë për forcimin institucional, për krijimin e infrastrukturës së nevojshme, si dhe për një zbatim më të plotë dhe më të efektshëm të politikave makroekonomike.
Gjithashtu, pjesëmarrësit theksuan nevojën e rritjes së mëtejshme të niveleve të përfshirjes financiare, të edukimit financiar të publikut të gjerë, si dhe nevojën për implementimin e zhvillimeve më të fundit teknologjike. Kjo do të mundësonte që vendet e Evropës Juglindore të kenë sisteme financiare shumë më të zhvilluara.
Zhvillimi i kësaj konference përbën edhe një dëshmi për vlefshmërinë e bashkëpunimit mes institucioneve dhe akademisë në fushën e kërkimit shkencor. Ky bashkëpunim ndihmon në thellimin e njohurive të institucioneve politikëbërëse si dhe mbështet zhvillimin e tyre.
Këto konkluzione dolën në përfundim të panelit të sesionit të tretë, paneli i guvernatorëve, i cili mblodhi në debat Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko; U.D i Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Fehmi Mehmeti; Guvernatorin e Bankës Qendrore të Malit të z.Radoje Zhugiç ; Zëvëndësguvernatoren e Bankës së Bosne dhe Hercegovinës Belma Çollakoviq, si dhe kryeekonomisten e Bankës së Maqedonisë Aneta Krstevska. Diskutimi u përqëndrua kryesisht në rolin e tregut financiar dhe infrastrukturën e tij, në veçanti rolin e “hallkave” që mungojnë (tregu i parasë, fondet e pensioneve, fondet reciproke dhe segmente të tjera të tregut); si dhe në prezantimin e risive teknologjike në tregun financiar “FinTech”, në zhvillimet aktuale në lidhje me rreziqet, qëndrueshmërinë dhe efektshmërinë e politikave monetare dhe të stabilitetit financiar.
Për më shumë rreth debatit rreth temave të lartëcekura dhe pjesëmarrjës në këtë panel të z.Fehmi Mehmeti u.d i Guvernatorit të BQK-së mund të informoheni si në vijim, për më shumë:

Paneli i Guvernatorëve

Vendet e rajonit tonë konsideroj se kanë arritur mjaft të zhvillojnë sisteme financiare të qëndrueshme dhe në funksion të zhvillimit ekonomik. Mirëpo, pothuajse në të gjitha këto vende, sistemi financiar dominohet nga sektori bankar, përderisa segmentet tjera mbeten të nënzhvilluara.

Në veçanti, vlen të theksohet mungesa e zhvillimit të tregut të kapitalit, i cili mund të paraqes një burim shumë të rëndësishëm të financimit dhe stabilitetit për ekonominë e një vendi.

Mbështetja e madhe në vetëm një burim të financimit, që është sektori bankar, nuk mund të kontribuojë mjaftueshëm për të ecur më shpejtë drejt konvergjencës sonë si individuale ashtu edhe si rajon me ekonomitë e shteteve të zhvilluara.

Për më tepër, koncentrimi një burimor ose njëdimensional I mbështetjes financiare i bën ekonomitë e vendeve tona edhe më të ndjeshme ndaj tronditjeve të mundshme.

Rrjedhimisht, zhvillimi i tregut të kapitalit përveç që ofron mundësi alternative për zhvillim paraqet edhe një mundësi të shkëlqyeshme të diversifikimit të ekspozimit të ekonomive tona ndaj krizave të mundshme.

Lidhur me këtë, tashmë ekziston një pajtim i përgjithshëm se zhvillimi i tregut të kapitalit është mekanizëm me dobi të dyfishtë –si shtytës i zhvillimit dhe si masë mbrojtëse për stabilitetin financiar dhe makroekonomik të një vendi.

Zhvillimi i tregut të kapitalit kërkon plotësimin e disa parakushteve shumë të rëndësishme por jo edhe të lehta për t’u arritur. Në këtë kontekst, duhet ritheksuar rëndësinë që e ka stabiliteti makroekonomik për zhvillimin e tregut të kapitalit.

Pastaj, këtu duhet theksuar edhe rëndësinë e fuqizimit të institucioneve financiare (bankave, sigurimeve, pensioneve, etj.)–institucione këto me rëndësi për mobilizimin e kursimeve të individëve dhe ekonomive familjare dhe vënien e tyre në dispozicion të tregjeve të kapitalit.

Gjithashtu, raportimi financiar dhe transparenca, përkatësisht avancimi drejt standardeve më të mira të kontabilitetit dhe të auditimit së bashku me avancimin e ekzekutimit të kontratave mbesin fusha me rëndësi për të krijuar themelet e shëndosha të tregut të kapitalit. Rëndësi të njëjtë ka edhe mbrojtja adekuate e investitorëve të brendshëm dhe të jashtëm si dhe angazhimi në edukimin financiar me fokus në rolin dhe rëndësinë e tregut të kapitalit.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është duke avancuar legjislacionin financiar, qeverisjen korporative dhe shpalosjen e informacionit, gjithnjë duke pasur parasysh se për një treg efektiv dhe efikas të kapitalit kërkohen edhe akterë të shëndoshë.

Zhvillimi i tregut të kapitalit përputhet tërësisht me objektivat kryesore të BQK-së sepse një treg i shëndoshë i kapitalit kontribuon në fuqizimin e mëtejmë të rolit të BQK-së në sigurimin dhe ruajtjen e stabilitetit financiar si dhe shpërndarjen efikase të resurseve në kushtet e tregut të hapur dhe konkurrues.

Për më tepër, tregu i kapitalit do të kontribuonte në profilizimin e ri të sektorit financiar të Kosovës prej një tregu njësegmentor (i bazuar vetëm në kredinë bankare), në një treg shumësegmentor ku tregu i parasë dhe instrumentet e ndryshme të tregut të kapitalit e plotësojnë financimin bankar.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës në kuadër të kornizës së saj rregullative mbulon të gjitha institucionet financiare që operojnë në Kosovë, përfshirë bankat, fondet pensionale, kompanitë e sigurimeve, institucionet mikrofinanciare dhe ato financiare jobankare, si dhe ndihmësit e tjerë financiarë.

Po ashtu, ne kemi zhvilluar edhe rregullativën e nevojshme për rregullimin e Tregut Primar dhe Sekondar të Letrave me Vlerë të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Sidoqoftë, dinamika me të cilën po zhvillohen segmentet tjera të sistemit financiar në rrafshin global, siç janë siç janë tregu i letrave me vlerë të kapitalit, tregu i  letrave me vlerë të borxhit që emetohen nga shoqëritë tregtare dhe tregu i derivativëve, kërkon nga ne që të ecim më shpejtë drejtë kompletimit të kornizës rregullative edhe për këta sektorë.

Ne jemi të vetëdijshëm se korniza aktuale rregullative të cilën e posedojmë nuk mjafton për të rregulluar këto segmente të sistemit financiar. Prandaj po angazhohemi që të zhvillojmë edhe aspektet tjera të rregullativës financiare në mënyrë që të përgatisim gjithë rregullativën e nevojshme e cila do t’i hapë rrugë zhvillimit të këtyre sektorëve.

Kuptohet se kjo kërkon një bashkëpunim ndërinstitucional ndërmjet bankës qendrore dhe institucioneve të tjera, por ne e shohim si të domosdoshme dhe jemi të gatshëm që t’i trajtojmë këto çështje me prioritet të lartë dhe t’i prijmë këtij procesi.

Nëse e shiqojmë shkallën e përfshirjes në shërbimet financiare, rajoni jonë mbetet mbrapa vendeve më të zhvilluara. Në kuadër të rajonit, Kosova me sektorin më të ri financiar sigurisht se ka një shkallë më të ulët të përfshirjes financiare, por e cila gradualisht po konvergjon drejt vendeve të tjera.

Rritja e konkurrencës në sektorin bankar, përveç që po ofron një numër më të madh të ofruesve të shërbimeve financiare si dhe një shtrirje më të madhe të infrastrukturës financiare, po ashtu po sjellë edhe produkte të reja financiare të cilat po depërtojnë më lehtë te përdoruesit e tyre.

Në këtë aspekt, sigurisht duhet potencuar roli i avancimit teknologjik në industrinë bankare, i cili po e lehtëson në masë të konsiderueshme qasjen në shërbimet financiare si dhe po e zvogëlon koston e shfrytëzimit të këtyre shërbimeve.

Për të rritur shkallën e përfshirjes financiare po ashtu kërkohet një aktivitet më i madh në fushën e edukimit financiar, rëndësia e së cilës konsideroj se po kuptohet çdo ditë e më tepër. Ne në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës kemi themeluar një njësi të veçantë që merret me edukimin financiar, në mënyrë që të ngritim njohuritë e publikut në këtë fushë.

Rritja e edukimit financiar do të mundësojë që të kemi një publik më të informuar rreth shërbimeve financiare, gjë e cila do të rezultojë në një kërkesë më të madhe për këto shërbime dhe po ashtu në vendime më racionale të shfrytëzuesve të këtyre shërbimeve.

E tërë kjo kontribuon në rritjen e efektivitetit të ndërmjetësimit financiar, duke siguruar një depërtim më të madh të shërbimeve financiare në ekonomi dhe duke ofruar më tepër financim për ekonominë, si dhe ndihmon në përmirësimin e mëtejmë të stabilitetit financiar për shkak të vendimeve më racionale të shfrytëzuesve të shërbimeve financiare.

Unë konsideroj se në këtë aspekt roli i bankës qendrore më së shumti vjen në shprehje përmes rolit të saj si operator i sistemit të pagesave sepse zhvillimi i tregut financiar dhe rritja e shkallës së përfshirjes në shërbimet financiare kërkon një infrastrukturë, e cila është gjendje të ndjekë ritmit e zhvillimit të industrisë financiare.

BQK-ja ka arritur deri më tani t’i ofrojë industrisë një infrastrukturë moderne, ku dëshiroj të potencoj se rishtazi kemi avancuar sistemin e pagesave duke kaluar në sistemin e shlyerjes së pagesave në kohë reale–RTGS.

Po ashtu, ne përpiqemi të jemi shumë aktiv për t’ju përgjigjur në mënyrë efikase kërkesave të institucionet financiare për zhvillimin e produkteve të reja. Në cilësinë e mbikëqyrësit të institucioneve financiare, fokusi jonë është të sigurojmë se sistemi financiar ushtron afarizëm të shëndoshë dhe aty ku nevojitet të ndërmarrim masa për rikthimin e shëndetit te institucionet financiare.

Konsideroj se sigurimi i afarizimit të shëndetshëm paraqet një kontribut kyç për zhvillimin e mëtejmë të këtij sektori. Sektori bankar karakterizohet me stabilitet të lartë, vazhdon të jetë likuid e po ashtu edhe profitabil.

Marrë në përgjithësi, sektori bankar që nga vitet e kaluara e sidomos nga viti 2014 karakterizohet me qëndrueshmëri financiare. Asetet e sektorit bankar në shtator 2017 shënuan rritje vjetore prej 9.3% duke arritur vlerën 3.63 miliardë euro. Trend i njëjtë është përcjellë edhe tek kategoritë kryesore, kreditë dhe depozitat të cilat shënuan rritje vjetore prej 10.4% respektivisht 9.0%.

Në kontekst të treguesve rregullativ, treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit në shtator 2017 ishte 17.8% që paraqet një nivel lartë mbi kriterin rregullativ prej 12.0%. Situatë përafërsisht e njëjtë është edhe tek treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit me kapitalin e klasit të parë, që në shtator 2017 shënoi nivelin prej 15.9% krahasuar me nivelin rregullativ prej 8.0%.

Në kontekst të strukturës së cilësisë së kredive, kreditë standarde që përbëhen kryesisht nga kreditë e reja të lëshuara ndaj bizneseve dhe ekonomive familjare shënuan rritje vjetore prej 12.2%, apo rritje substanciale prej rreth 42.0% në kontekstin 2014 –2017.

Pjesa kryesore e kredive të bankave është drejtuar kah bizneset me 63.0%, që është një tregues faktik lidhur me përkrahjen e ekonomisë vendore nga sektori bankar në Kosovë. Pjesëmarrja e ekonomive familjare shënon nivelin prej 37.0% (shtator 2017).

Kryesisht si rezultat i përmirësimit të cilësive të kredive të reja, profilizimit të bankave dhe një mbikëqyrje më proaktive, niveli i kredive joperformuese në shtator 2017 u zvogëlua në 3.6%, duke shënuar zvogëlim konstant nga 5.1% sa ishin në shtator 2016.

Siç është cekur më lartë, si kreditë e po ashtu edhe depozitat kanë shënuar rritje stabile përgjatë tri-katër viteve të fundit. Marrë parasysh strukturën e bilancit të gjendjes që dominohet nga depozitat dhe kreditë, duhet cekur që rritja e besimit qytetar në sistemin bankar në Kosovë përkthyer në aspekt kuantitativ bie që përgjatë periudhës 2014 –2017 depozitat shënuan rritje për 21.6%, apo rritje mesatare vjetore prej 9.0% duke u rritur në nivelin prej 3.08 miliardë euro.

Në fushën e normave të interesit, ka zhvillime shumë pozitive që janë reflektuar me uljen e dukshme të normave të interesit. Bazuar në të dhënat për shtator 2017, norma efektive e interesit ishte 6.51% që përfshin bizneset dhe ekonomitë familjare, përderisa normat e interesit vetëm për biznese është rreth 6.0%. Në raste të caktuara, për kreditë hipotekare, norma e interesit varion nga 4% deri 6%.

Ulja në normën efektive të interesit në kredi është reflektuar në të gjithë sektorët, ku me këtë rast do të veçonim sektorin e bujqësisë ku norma efektive e interesit në shtator 2017 ishte 7.12%, krahasuar me 11.46% në shtator 2014. Pasqyrë e njëjtë është edhe tek kreditë industriale, ku kemi zvogëlim në 5.64% në shtator 2017 nga 10.28% sa ishte norma në shtator 2014.

Comment

*