Zhvillimi i sektorit energjetik do të sjellë miliarda euro në Kosovë

Prishtinë, 18 prill 2017 – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, tha të martën në Prishtinë se gjendja me energjinë elektrike në Kosovë mbetet ende e brishtë për shkak të dy termocentraleve të vjetruara.

Por, ai tha se investimet e realizuara në këtë sektor kanë sjellë përmirësime për jetën e qytetarëve dhe shprehu mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë amerikane për Kosovën në fushën e energjisë.

Ambasadori Delawie i bëri komentet në një forum të nivelit të lartë për energji, që mblodhi aktorë vendorë e ndërkombëtarë në diskutimet për një strategji të energjisë dhe liberalizimit të tregut.

Ambasadori Delawi tha se viti 2017 “duhet të jetë një vit kthese për sektorin e energjisë”, që Kosova të vazhdojë të punojë për përmbushjen e standardeve të Bashkimit Evropian, dhe përfundimisht sektori energjetik të jetë më bashkëkohor, më i sigurt dhe më konkurrues.

“Krejt kjo ka të bëj me zhvillimin ekonomik të Kosovës, por po ashtu edhe me përmirësimin e kualitetit të jetës së njerëzve në Kosovë. Krejt kjo e ndihmon Kosovën në arritjen e synimeve euro-atlantike”, tha Delawie.

“Miratimi i ligjeve të reja për energji elektrike si dhe strategjia për energji elektrike janë të arritura kaq të rëndësishme për krijimin e themeleve për të gjitha zhvillimet në sektorin energjetik”, tha ambasadori amerikan në Prishtinë.

Që prej përfundimit të luftës në Kosovë, vendi është përballur me mungesën e energjisë elektrike për shkak të, siç është vlerësuar, “termocentraleve të vjetruara dhe problemeve me rrjetin energjetik”.

Zyrtarisht thuhet se prej vitit 2003 deri më 2016, në termocentrale janë investuar mbi 400 milionë euro, por vlera e donacioneve të huaja nuk është bërë e njohur.

Qeveria e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë në Kosovë thanë se sektori energjetik mbetet prioritet dhe një “Strategji e Energjisë për vitin 2017 -2026”, synon që ta stabilizojë furnizimin me energji elektrike në vend, me kosto të përballueshme, me rritje të pjesëmarrjes së burimeve të ripërtëritshme, si dhe integrim në tregun regjional.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se miratimi i strategjisë ka qenë hap i domosdoshëm, pasi energjia paraqitet një ndër prioritetet kryesore për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe social të Kosovës.

“Dhe ky është treguesi më i mirë që ne mund të arrijmë rezultate të cilat i synojmë, që Kosova është një vend dhe shtet stabil, një shtet ku mund të zhvillohen investime të volitshme, një shtet miqësore për investime. Dhe një shtet që mund të sigurojë të gjithë investitorët që të vijnë dhe të tregojnë vetëm këtu”, tha kryeministri Mustafa.

Në anën tjetër, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka thënë se reforma e sektorit të energjisë, që mundëson transformimin e tij dhe vënien e bazës së qëndrueshme për zhvillimin ekonomik, është e vizionuar në pesë objektiva, që sjellin investime prej 3 miliardë eurosh.

Ndërkaq, si lajm pozitiv për këtë sektor ministri Stavileci, e vlerësoi miratimin e pakos se tretë të ligjeve për energji vitin e kaluar në Kuvendin e Kosovës. Sipas tij, këto ligje, janë në përputhje të plotë me direktivat e Bashkimit Evropian dhe i hapin rrugë liberalizimit të tregut.

“I hapin rrugën që të liberalizohet tregu, të liberalizohen çmimet dhe krijon mundësi që ne të kemi një treg konkurrues të energjisë elektrike gjë që është synim jo vetëm i Kosovës por i gjitha shteteve të rajonit”, tha Stavileci.

Ndryshe, përkrahje autoriteteve vendore, sa i përket investimeve në sektorin energjetik, konkretisht në ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese, siç është projekti i Termocentralit “Kosova e Re”, i ka dhënë Banka Botërore dhe përfaqësues të zyrës se Bashkimit Evropian në Kosovë.

Autoritetet në Kosovë kanë nisur prej vitesh një projekt për ndërtimin e një termocentrali të ri me një kapacitet prej afro 500 megavatësh. Ndërtimi i termocentralit ‘Kosova e Re’ pritet të nisë vitin e ardhshëm, dhe ka pasur paralajmërime se ai do ta nxjerrë nga përdorimi Termocentralin ‘Kosova A’, i cili është ndërtuar në vitet e 60-ta të shekullit të kaluar.

(Nadie Ahmeti, REL)

Comment

*