Zoti e ruajtë Vatrën… nga marrëzia e madhështisë dhe superpatriotizmi!

Alfons Grishaj

Nga Alfons Grishaj

Të nderuara Vatrane,
Të nderuar Vatranë!

Do mundohem të jem sa më i thjeshtë në këtë ekspoze, për të sqaruar disa gënjeshtra që kërkojnë të institucianilizohen si të vërteta absolute, por në fakt, s’ janë asgjë tjetër vetëm trillime paranoide dështakësh. Pas kësaj paranoje qëndron “Udhëheqësi Suprem” Gjon Buçaj, i cili po mundohet të përdorë keq disa vatranë të mirë.

 

Si u bë Dritan Mishto Kryetar i Vatrës?

Një ditë duke biseduar me Dr. Gjonin, ai më tha se duhej të largohej nga Kryetari i Vatrës (arsyeja se donte te ishte pranë fëmijëve të vet) dhe se duhej të gjenim një zëvendës tjetër. Unë i përmenda Agim Rexhën dhe Asllan Bushatin, meqë të dy ishin nënkryetarët dhe bashkëpunëtorët e tij . Ai u përgjigj prerë si për Asllanin dhe Agimin: “Nuk bëjnë! Asllani ka qenë komunist dhe Agimin nuk e don askush!” Në shpirt nuk u pajtova me të… për arsyen e thjeshtë se, burri kur flet për bashkëpunëtorët e ngushtë ashtu…, çfarë mendon për ata që i ka më larg! Megjithatë, nga respekti i moshës nuk e kundërshtova, por e pyeta se për cilin mendonte ai. Gjoni ishte i paqartë në vetvete, duke menduar se asnjë në NY nuk ishte i aftë për atë detyrë. Përmenda disa emra të nderuar si, Elez Biberaj, Harry Bajraktari etj. Ai përsëri solli ca shembuj negativë dhe për ta. Atëherë i propozova, Dritan Mishton. Ai m’u përgjigj tekstualisht kështu: “Ku ta gjejmë, po a e pranon Dritani?” E njëjta pyetje që u bë dhe në takimin e Floridës: “More është nder ta kemi Dritanin anëtar të Kryesisë , por a pranon ai ?” Pra, Dritani shihej nga Gjoni si një personalitet që e mbushte karrigen e Kryetarit (duke qenë i ri, vital, me karrierë dhe kontakte diplomatike) madje si i vetmi që mund ta zëvendësonte atë.
Unë i kërkova të bisedonte ai me Dritanin, meqë ishte autoriteti që do i lëshonte vendin. Pas bisedës me Gjonin, mora në telefon Dritanin për t’i treguar çfarë mendonim për të. Ai me delikatesën e një diplomati m’u përgjigj: “Unë do e ndihmoj Vatrën deri sa të kem fuqi, por plani juaj nuk është në axhendën time, kështu, do të ishte më me vend që të zgjidhni një tjetër, që ka më kontribute në Vatër!” Bisedën ia tregova Gjonit, dhe ai më tha se do fliste vetë me Dritanin. Ata drekuan sëbashku dhe biseduan me njëri-tjetrin dhe siç duket argumentet e Gjonit e kishin bindur dhe ndoshta vënë edhe para një përgjegjësie morale Dritanin që të pranonte të bëhej Kryetar i Vatrës.
Ne pregatitëm terrenin për Dritanin, kur, papritmas pak kohë para Kuvendit na doli dhe kandidatura e Mithat Gashit, një burrë i qëndrueshëm, që jetonte midis dy botëve. Këtë përshypje ma konsolidoi në Kuvendin që u bë NY , ku ai si kryesues i punimeve u dha të gjithëve nga një laps e letër, duke i testuar burrat si të ishin në fillore. Unë dhe Dalip Greca nuk e morëm letrën, kur të gjithë e kishin marrë seriozisht “shakanë” e tij… Ai e vërejti këtë… dhe m’u afrua me buzë në gaz: “Alfons, ti nuk po shkruan asgjë?!” Unë iu përgjigja se kisha vite që kisha harruar Shkollën Fillore. Ai buzëqeshi me çiltërsi.

Marrëdhëniet midis meje dhe Mithatit ishin shumë të mira, biles, pas Gjonit, me të kam komunikuar më tepër se me askënd tjetër me postë elektronike . Prandaj, mendova që sa ishim ende në kohë, të bënim një zgjidhje për të mos lënduar asnjërën prej Kandidaturave. Ia parashtrova mendimin tim Gjonit dhe iu luta që të qëndronte Kryetar dhe për një vit, duke vendosur të dy kandidaturat në detyrat e zv/Kryetarëve, me qëllim që gjatë vitit… t’i shihnim secilit aftësitë, përkushtimin, vizionin dhe projektin për zhvillimin e Vatrës, që më pas të ishim të qartë në zgjedhjen e kandidaturës së duhur. Siç dukej Gjoni ishte me vrap. Më shpjegoi se ai nuk mund të qëndronte më në NY dhe se do shkonte tek fëmijët, dhe më kundërshtoi sërish: “Jo kush të fitojë le të bëhet Kryetar!”. Unë me durim i shpjegova se shumica e vatranëve kishin vendosur tashmë të mbështesnin kandidaturën e Mishtos, dhe kështu, padashur do digjnim kandidaturën tjetër (për të cilin ruaja respekt) çka do krijonte qejfmbetje… mbase dhe çarje. Dr. Gjoni nuk bëri asnjë hap prapa. Ai kalimthi përmendi babain e Dritanit, duke thënë: “Njerëzit do na sulmojnë për kandidaturën e tij, pasi ai ka pasur babën Prokuror, por ne nuk jemi duke vendosur babën e Dritanit, por një djalë të mrekullueshëm që e njohim prej vitesh dhe që e kemi dhe anëtar Kryesie.” Komentet janë të tepërta!!!

 

Gabimet e Kuvendit:

1-Kryetari i Kuvendit u zgjodh në mënyrë arbitrare, pa votuar kandidaturën e dytë që u propozua nga Kuvendi.

2-Kryetari i Kuvendit ishte në konflikt interesi të hapur, duke pasur parasysh se Kandidatura e Gashit ishte propozuar nga vetë Kryetari i Kuvendit.

3-Delegatëve që mendohej të ishin simpatizantë të Gashit, iu dha e drejta e fjalës nga tre e katër herë, kurse atyre që mendohej se ishin kundra dhe që kishin nga dy e tre mandate , iu pre fjala pa e nisur mirë.

4- “Pas debatit për vitet e antarësimit të Mishtos… Gjon Buçaj, u ngrit në Kuvend, duke propozuar kandidaturën e Dritanit për t’a votuar për aprovim ose jo, si kandidaturë për Kryetar të ardhshëm. Kuvendi votoi mbi 90%, pro!”

5-Pas pushimit, Kryetari i Kuvendit, Armin Zoto, i vazhdoi punimet mbrapsht, duke rrëzuar propozimin e Kryetarit Buçaj dhe vendimin e Kuvendit (që ka fuqi absolute vendimarrëse) që aprovoi me vota dërmuese kandidimin e Mishtos. Këtu drejtimi i Kuvendit rrëshqiti. Akti i papërgjegjshëm i drejtuesit të Kuvendit, i cili injoroi tempullin e fjalës së lirë dhe vendimarrjen legjitime të Kuvendit, çoi në debate të ashpra, deri në propozimin e largimit të Armin Zotos si drejtues Kuvendi.

 

Post mortum

Pas Kuvendit, tek po hynim për “Darkën e Fundit”, Gjoni në prani të shoqes dhe të bijës më tha: “Jam me propozimin që më ke bërë para Kuvendit, do të bëhem unë Kryetar përsëri!”
Unë ia ktheva, “Po, more të marrsha të keqen! Dritani do të ishte shumë i lumtur për një zgjidhje të tillë ,për arsye se ne ia kemi dhënë si me zor, por tani na duhet që të gjejmë formulën që të mos bëhemi qesharakë.” Gjoni më tha se nuk ishte serioz në kërkesën e tij. Por kur hymë në sallë , kuptova se ai ishte penduar rëndë në “përllogaritjet” e tija . E keqja e njeriut dritëshkurtër është se nuk e kupton kurrë gabimin , por e thellon atë deri në krisje.
Pas asaj që ndodhi nuk kisha çfarë t’i bëja më mikut tim, Gjon Buçaj, i cili në mëngjes, fliste ndryshe, në drekë ndryshe dhe në darkë pendohej për çfarë kish folur në mëngjez dhe në drekë. Ai atë ditë, paralajmëroi hijen e zezë që do e ngrinte vetë kundër Vatrës. Të gjithë ata që kanë qenë prezent në atë sallë e kanë parë puthjen e fundit të Judas Iscariot.

 

Dhuna denigruese

Përgatitja për të marrë me dhunë Vatrën dhe rrëzuar Kryetarin, i cili u zgjodh me mbi 70% të votave, ka qenë eksperienca më e neveritshme që jam ballafaquar në tridhjetë vjet demokraci: Emaile, pako ngjyrë turmerik, character assassination, defamation ! O Zot si mund të flenë gjumë këta njerëz që merren me gruan e mikut (bash një zonjë, që familja e saj vuajti nga kolera e kuqe)… në një vend konglomerat, ku demokracia është në shkallën më të lartë? Çfarë janë këta njerëz që shfaqen si pragmatistë, por që në të vërtetë veprojnë si komunistë 100 karatësh?!
Përpjekja për të goditur Kryetarin e Vatrës Dritan Mishto, ka qenë akti më i shëmtuar në historinë e Vatrës, dhe për këtë vë me faj Gjon Buçaj. Aty, Armin Zoto, kërcënoi dhe Frederik Ndocin, Gëzim Nika etj. Zoto u ngrit pa pyetur askënd me dhjetëra herë, duke lujtur perfekt rolin për të cilin i kish besuar Grand Vulture.
Pas mbledhjes së Këshillit, në zyrën e Dalipit, ai më pyeti përse e mbroja unë Dritan Mishton. I shpjegova se kush ishte Dritani dhe Agata, ashtu siç u shpjegova shkurt pak kohë më parë në një prononcim për Buçaj dhe anëtarët e Vatrës. Armini më tha: “ A keni dëshirë që unë të jap dorëheqjen!” Unë i shpjegova se jemi vëllezër e motra, dhe se asnjë nuk është i tepërt në Vatër. Tani duke lexuar prononcimet e tija më duket se nuk është ai person që biseduam , por influenca e vaksinës Buçaj.
Tre apo katër persona flasin për përçarjen e Vatrës. Kjo është një deshirë e madhe e njerëzve të vegjël . Po kush janë në të vërtetë ata përçarës ? Gjoni me disa persona në minorancë po përpiqen për një gjë të tillë, por pa rezultat! Ata mendojnë se Vatra është pronë e tyre … dhe jo Institucion Kombëtar i trashëguar në breza që, do vazhdojë, përparojë e kalojë kushedi edhe sa Gjonë e gjoniada.
Vatra duhet parë si Institucion gjithëpërfshirës, emancipues e demokratik, si shembull edukimi e tempull patriotizmi në dekada e shekuj, dhe jo si hipotekim familjar. Pretendime fëmijësh të rritur që nuk e kuptojnë misionin e shenjtë të Vatrës, duhen mëshiruar. Për ta ilustruar këtë, le të marrim një shembull:
Sikur unë, Kolec Ndoja dhe tjerë themelues të PD, t’u thonim anëtarëve të rinj të PD-së: “Largohuni ju tani… se ne e krijuam PD!”, ata do na shikonin me çudi, dhe do të mendonin se nuk jemi në rregull nga mendët e kresë. Sigurisht, për të mos na ofenduar, ata do të na mëshironin në heshtje. Arma më efikase e njeriut të zgjuar kundër çmendurisë… është pikërisht arma e heshtjes që përdori Dritan Mishto, ndaj denigruesve të pabesë, të cilët e ulën në sofrën e Vatrës për t’i ngulur thikën prapa shpine. Mendoj se, pabesia është definicioni i shëmtisë, sepse reflektimi i pabesisë zbulon lakuriqësinë e shpirtit të zi, atë shpirt që është midis territ dhe vdekjes.

 

Komisioni i vetëpërjashtimit

Të gjithë ata që e kanë lexuar Kanunoren e Vatrës e dinë pa hyrë në thelb, që ky Komision i 5 Tetorit, është ilegjitim dhe vetëpërjashtues, i cili nuk ka nevojë për votë kundërshtare. Komenti është humbje kohe! Zoti Greca e ka shpjeguar në mënyrë perfekte dhe nuk dua ta përsëris atë. Nuk vlen vjetërsia e antarësisë së asnjërit për të justifikuar një budallallëk të tillë! Komisioni paralel, sipas ligjeve të Vatrës në fuqi (apo dhe ligjeve juridike ndërkombëtare dënohet me ligj), nuk mund të përdorë vulën dhe emrin e Vatrës, për arsye se është ilegjitim! Ata mund të krijojnë një shoqëri tjetër, por jo të përdorin logon e Vatrës. Kryesia e Vatrës duhet të hapë një proces ligjor kundër fallsifikatorëve të vetëpërjashtuar. Ky Komision flet për shkelje të Kanunores kur vetë e ka përdhosur Kanunoren prej kohësh në mënyrë sistematike.

 

Shpërdorimet e fondeve në Vatër

Para se Gjoni të largohej nga Vatra, e ka pranuar vetë shpërdorimin e parave në arkën e Vatrës. dhe për turpin e drejtuesve të “Fondacionit Vatra”, Kryetarit Buçaj, dhe stafit të asaj kohe, ky akt u mbulua në errësirë të plotë, duke ia fshehur të vërtetën vatranëve.
Kush fshihet pas këtij shpërdorimi të shumave të konsiderueshme, dhe pse pikërisht bëhet zhurmë nga personat që dyshohen se kanë gisht në këtë abuzim? A mos vallë lufta kundër Mishtos filloi pikërisht këtu, kur ai u zotua se do i nxirrte fundin këtij shpërdorimi të turpshëm? Ka zëra që “Fondacioni Vatra” i drejtuar nga Kaliqi, ka sponsorizuar Kryetarin e Vatrës në udhëtimet e tija Shqipëri , Dardani , Shkup dhe Europë… I mbetet Kuvendit të Janarit të hapë Kutinë e Pandorës.

 

Kuvendi i Vatrës në Michigan

Sa i përket Kuvendit që bëhet në Michigan, ka qenë praktikë tradicionale e Vatrës. Ideja e përçarjes është sa qesharake dhe turpshme, sepse në Kuvendin që drejtoi Gashi në NY, u vendos që Kuvendi i ardhshëm i Vatrës të zhvillonte punimet në Michigan. Por si gjithnjë, Gjoni e shkeli pa i bërë syri tërr, duke e zhvendosur Kuvendin në Florida. Dega e Michiganit e respektoi “vendimin” dhe atë shkelje të radhës e konsideroi si një lapsus moshor. Por pati dhe një arsye tjetër përse dega e Michiganit e quajti si të pavend që të reagonte kundër kësaj shkeljeje. Vatranët e Floridës, ishin vëllezërit e motrat e vatranëve të Michiganit dhe mbarë Amerikës.

Tani, nëse dikush mendon se NY është Vatra… dhe Degët, janë vasale vetëm sa për të paguar kuotat, është gabimi më i rrezikshëm që ndihmon të keqen e nisur nga të vetëpërjashtuarit e K 5… apo Pavioni 5 …!
Për sa i përket “rrugaçërisë” dhe epiteteve të sëmura që përdor Armin Zoto, apo ndokush tjetër, ato nuk janë për Vatrën dhe vatranët, por për mistrecët me injeksione diabolike si Zoto, i cili i ka kthyer gjërat tashmë personale dhe për këtë ai, ka për ta pasur në kohë përgjigjen e merituar personale!

 

Për t’u pasur në konsideratë

Askush nuk mund të thotë se Gjon Buçaj, nuk është patriot, përkundrazi ! Eshtë një superpatriot! Por, superpatriotizmi (jo si ai i Erik Larsen), e asfikson shoqërinë… gjunjëzon e varfëron kombe(jo më shoqata), krijon impakte , që duhen vite për tu ringritur dhe shëruar. Shembuj ka plot në dy gjysmat e kupave të globit, si ai i Bonopartit, Hitlerit etj . Ndërsa patrotizmi real , frymëzon shoqërinë , mirëkuptimin, rimëkëmb shtete , ruan identitetin dhe zhvillon pasurinë shpirtërore si çelës i përjetësisë së ekzistencës së kombeve të qytetëruara. Kështu, dhe boshti i Vatrës , për të ruajtur vlerat universale dhe sensin kombëtar duhet të mbështetet tek patriotizmi real dhe kurr në ëndrrat e super-ave , që herët a vonë shkasin në prehrin e kundërvlerave dhe diktatit.
Mendoj se inteligjenca në Vatër, apo gjetkë , nuk do që të dëgjojë më çangën arkaike të ish-ve destruktiv. Sot , Vatra ka figura të tilla që mund ta udhëheqë lundrimin e anijes saj në shekullit e Ri , sipas kërkesave dhe standarteve kohore dhe klasike, besa-besë dhe jo besa-vesë!
Zoti e ruajtë Vatrën… nga marrëzia e madhështisë dhe superpatriotizmi !

 

Shkrimi i mësipër është botuar fillimisht, në gazetën “Dielli”, të federatës Vatra.

One Response to “Zoti e ruajtë Vatrën… nga marrëzia e madhështisë dhe superpatriotizmi!”

Read below or add a comment...

  1. Genci says:

    Alfons nuk e kuptova nje gje, ti si “themelues” i PD, nuk e kam shum parasysh CV tende, cfare pozicioni ke pasur ne PD, degen lokale apo ne strukturat ne qender?

Comment

*