Zyrtarët serbë e mbrojnë Vuçiqin nga “sulmet“ e Zakharovës

Beograd, 6 shtator 2020 – Zyrtarë të lartë të Serbisë kanë reaguar ashpër ndaj postimit të zëdhënëses së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, në të cilin fyhet qëndrimi i Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndaj Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin, ka thënë se Zakharova e ka ofenduar Vuçiqin dhe të gjithë serbët që ”e mbrojnë” Rusinë.

“Zakharova na ka ofenduar të gjithë neve që i mbrojmë edhe Rusinë edhe Serbinë në vende më të vështira se sa në publikimet e saj në Facebook. Armiqtë e Serbisë dhe Rusisë janë të gëzuar sot me dashakeqësinë e vogël të Zakharovas. Pas Vuçiqit mbeten veprat, pas Zakharovës dashakeqësia për të cilën do t’i vijë turp”, thuhet në reagimin e Vulinit.

Ai ka kujtuar se Vuçiqi ka refuzuar të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe ka thelluar bashkëpunimin ushtarak të Serbisë me Rusinë.

”Vuçiq është burrështetasi i vetëm në Evropë, i cili ka refuzuar që t’i vendosë sanksione Rusisë, si është komandanti suprem i ushtrisë, me të cilën forcat e Federatës Ruse kanë bahkëpunimin më të madh dhe më të frytshëm”, ka theksuar thënë ai.

“Madhështia e njeriut nuk matet me madhësinë e karrigës në të cilën ulet e as me madhësinë e fuqisë në emër të së cilës flet, po me madhështinë e guximit që në secilën karrige ta mbrojë popullin dhe miqtë e popullit të vet”, ka theksuar ministri serb i Mbrojtjes.

Ndërkaq, dejtori i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, e ka cilësuar të turpshëm postimin fyes të Zakharovës ndaj Vuçiqit. Ai ka thënë se Vuçiqi ka pritur edhe nga 1 orë e gjysmë për t’u takuar me presidentin rus (Vladimir Putin) ndërsa Zakharovën e ka paralajmëruar se nuk do ta lejojë ta sulmojë ”Serbinë krenare”.

“Dhe, paramendojeni që ky president (Vuçiqi) nuk e ka thënë asnjë fjalë të keqe për Rusinë, madje as në atë vend (në Shtëpinë e Bardhë). Dhe, paramendojeni që ky president (Vuçiqi) ka pritur madje edhe nga 1 orë e gjysmë për t’u pranuar te presidenti rus dhe asnjëherë nuk ka kërkuar karrige të veçantë. Unë nuk ju lejoj ta sulmoni Serbinë krenare. Turp t’ju vijë”, ka shkruar Gjuriq në Twitter.

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, e ka publikuar në profilin e saj në Facebook një foto nga takimi i Vuçiqit me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerkës, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë, kurse poshtë saj një foto nga një skenë e filmit “Basic Instict” (Pasionet e ulëta), ku aktorja Sheron Stone qëndron ulur këmbë mbi këmbë, në mënyrë shumë provokuese.

(r.m.)

Comment

*