Zyrtarizohet kthimi i Albin Kurtit në krye të Vetëvendosjes

Prishtinë, 23 janar 2018 – Albin Kurti u zyrtarizua kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm (KZP) i Vetëvendosjes i ka shpallur sot rezultatet zyrtare të zgjedhjeve për kryetar të partisë, të cilat u mbajtën të dielën, më 21 janar.

“KZP-ja ka konstatuar se procesi ka qenë i rregullt, dhe bazuar mbi rezultatet e bëra publike, shpall zyrtarisht deputetin Albin Kurti kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje, duke i uruar punë të mbarë në mandatin e ri”, thuhet në njoftimin për media të Vetëvendosjes.

Sipas këtij komisioni, Kurti është zyrtarizuar kryetar i partisë, pasi nuk ka pasur asnjë ankesë lidhur me procesin zgjedhor.

Ditën e diel, pas numërimit të votave, KZP kishte shpallur rezultatet paraprake të zgjedhjeve për kryetar të Vetëvendosjes. Sipas Rregullores së Zgjedhjeve të Brendshme, KZP-ja ka lënë 24 orë afat për paraqitjen e ankesave eventuale të anëtarëve të Vetëvendosjes lidhur me procesin zgjedhor.

Albin Kurti ishte kandidat i vetëm për kryetar të Vetëvendosjes. Sipas KZP-së, Kurti ka fituar besimin e mbi 98 për qind të pjesëmarrësve në votime.

Përkrahësit e Kurtit thonë se pjesëmarrja në votim ka qenë më e madhe se asnjëherë deri më tash. Por, grupi i funksionarëve të dorëhequr dhe përkrahësit e tyre thonë se në votim ka marrë pjesë një numër shumë i vogël i anëtarëve të Vetëvendosjes.

Vitin e fundit, brenda Vetëvendosjes kanë ndodhur përçarje të mëdha, të cilat kanë çuar në krijimin e dy grupimeve brenda strukturave drejtuese të partisë.

Përpjekjet e deritashme për mbylljen e çarjeve nuk kanë dhënë rezultat. Sipas diskursit publik të të dyja grupimeve, ndarja e Vetëvendosjes është e pashmangshme.

Këtë parashikim e forcojnë edhe më shumë reagimet e kundërshtarëve të Kurtit pas kthimit të tij në krye të partisë.

Vetë Kurti ka zgjedhur t’u kundërppërgjigjet me heshtje akuzave publike të kundërshtarëve të tij brenda partisë.

 

(Ramadan Muçolli)

Comment

*